Obama kthehet në Uashington

08/11/2012 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama është kthyer me familjen e tij në Uashington DC për t’u përballur me sfida edhe më të mëdha pas sigurimit të mandatit të dytë.

Familja Obama fluturoi nga baza e Çikagos, duke mbërritur në bazën ajrore Andrews Air Force Base rreth orës 18:30 me orën lokale.

Tani, atij i duhet të punojë me republikanët në Kongres për t’u përballur me “shkëmbin fiskal” të rritjes së taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve.

Republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të martën, por nuk arritën të merrnin edhe kontrollin e Senatit.

Në betejën shtet më shtet me rivalin Mitt Romney, zoti Obama ka fituar deri tani 303 vota elektorale kundrejt 206 të zotit Romney, nga 270 vota që mjaftojnë për të fituar.

Në Florida, shtet me 29 vota elektorale, vazhdon numërimi i votave por gara është shumë pranë përfundimit.

Para kthimit të zotit Obama në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Boehner aludoi për një mundësi kompromisi nëse presidenti bie dakord për reformën e taksave.

Boehner, që negocioi me zotin Obama mbi të ashtuquajturën “marrëveshja e madhe”, tha se ai mund të pranojë rritjen e të ardhurave si pjesë të marrëveshjes për reformën.

Ndërkohë, ekonomistët deklarojnë se efekti tërësor i rënies së “shkëmbit fiskal” mund të fusë Shtetet e Bashkuara në reçesion, në një moment kur ky i fundit duket se po lihet gradualisht pas.

Top Channel