Takimi i dytë Thaçi-Daçiç në Bruksel, i cili kësaj radhe ishte
organizuar në formën e një darke pune nga ndërmjetësuesja Catherine
Ashton, ka zgjatur rreth dy orë duke prekur disa tema në kuadër të asaj
që quhet “normalizimi”  i marrëdhënieve mes dy palëve.

Në një deklaratë pas takimit Baronesha Ashton renditi pikat për të cilat të dy kryeministrat janë angazhuar për momentin.

“Diskutimet tona të hapura dhe të sinqerta këtë mbrëmje u sollën rreth aspekteve të ndryshme të normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve dhe të dy kryeministrat u angazhuan për vijimin e këtyre bisedimeve. Ne ramë dakort të vazhdojmë punën për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Mirëpritëm rezultatet e grupit të përbashkët për menaxhimin e integruar të kufijve në pikat e kalimit. Diskutuam transparencën e fondeve që i ofron Serbia serbëve të Kosovës dhe këtij komuniteti në Kosovë dhe diskutuam si të rrisim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Serbisë. Të dyja palët ranë dakort të ngrenë një grup pune teknik të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë. Ramë dakort të takohemi sërish së shpejti”, tha Ashton.

Ndryshe nga takimi i parë, fotografia zyrtare u publikua menjëherë dhe dy kryeministrat kësaj here shfaqen më pranë njëri tjetrit dhe më të qetë, duke shpalosur simbolet e shteteve të tyre nëpërmjet stemave të flamujve që mbajnë në kostume. Megjithëse qëndrimi i Serbisë për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, edhe Ivica Daçiç ka pranuar së lufta ka mbaruar dhe se dy vendet duhet të shohin nga e ardhmja. Takimi i tretë i këtij dialogu të nivelit më të lartë politik pritet të zhvillohet në javët e para të dhjetorit.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel