Pas takimit me Daçiç në një intervistë për Top Channel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi axhendën e tij, duke veçuar zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e kufirit. Thaçi tha se fqinjësia e mirë në Ballkan është kusht për cdo shtet që aspiron integrimin europian.

TCH : Gjatë dialogut të mëparshëm, atij teknik, ju keni deklaruar disa herë se nuk do të bëhej fjalë për dialog politik. Cfare bëri të ndryshoni mendim dhe të merrni vetë pjesë në këtë nivel?

Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës: Nuk është ndryshimi i mendimit por është marrje e përgjegjësive që na takojnë si kryeministrat e dy shteteve tona. Nga ana ime në përputhshmëri me Deklaratën e Pavarësisë, me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e me rezolutën e Kuvendit. Dhe normalizimi i mardhënieve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë arrihet në nivele politike. Është një proces që do ta çojë Kosovën dhe Serbinë drejt njohjeve reciproke, por dhe do të përshpetojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, BE, dhe OKB, dhe që do të sjellë një normalizim të gjithë rajonit. Prandaj këto janë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore por dhe përgjegjësi para Bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, SHBA-ve, që Kosova dhe Serbia si dy shtete me një të kaluar të luftrave, të hidhur mund të them, të ndërtojnë fqinjësi të mirë për të ardhmen prosperuese e zhvillimore të të dy vendeve dhe popujve tanë”.

TCH :
Nga kafja e takimit të parë, darkë në takimin e dytë. A është ky normalizimi i marrëdhënieve siç e quan BE, mes Kosovës dhe Serbisë?

Kryeministri Thaçi: Ky është fillimi i angazhimeve të nivelit të lartë politik. Takimet zhvillohen në një frymë pozitive e konstruktive. Ka pasur një substancë të theksuar dalluese nga takimi i parë. Jemi dakorduar për vazhdimin e shpejtë të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani. Në veçanti zbatimi i IBM (menaxhimit të pikave të kalimit në kufij) ; pastaj marrëveshjeve për bashkëpunim rajonal ; për të punar urgjent për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve ; si dhe angazhime të tjera të domosdoshme për të ndryshuar gjendjen në terren në interes të qytetarëve”.

TCH : Në rrugën drejt BEsë, përse pranuat që mardhënia e Kosovës të mos kushtëzohet nga një marrëdhënie e drejpërdrejtë me Unionin, por edhe me dialogun me Serbinë?

Kryeministri Thaçi: Ne jemi shtete fqinje dhe është kusht edhe evropian normalizimi i mardhënieve të një vendi me vende të tjera përreth. Ku është kusht dhe për Kosovën dhe për të gjitha vendet, natyrisht është kusht edhe për Serbinë. Por është edhe në interesin e vetë shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, është në interesin e shtetit dhe qytetarëve të Serbisë që ky normalizim të ndodhë, një normalizim i cili do të përshpejtojë të ardhmen e sigurt, prosperuese dhe zhvillimore për dy vendet, shtetin e Kosovës dhe Serbinë, si vende me orientim euro-atlantik, së paku flas për Kosovën”.

TCH : Cfarë prisni nga takimi i tretë me zotin Daçiç, një nga armiqtë tuaj të betuar në të kaluarën?

Kryeministri Thaçi: Po, ne kemi pasur ballafaqime tashmë prej 22 vitesh. Ai ka qenë në kampin e Millosheviçit ndërsa unë kam udhëhequr Ushtrinë ç lirimtare të Kosovës. Ne si Kosovë e kemi fituar betejën, e kemi fituar luftën. Kosova është e lirë, e pavarur dhe sovrane. Këtu jemi si fitues, si fitimtarë. Por, kemi edhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm. Kemi përgjegjësinë e normalizimit të këtyre mardhënieve. Kemi përgjegjësi për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Dhe duhet të mbyllim kapitullin e konflikteve e të vazhdojmë me etapën e re të komunikimit e të bashkëpunimit dhe ngadhnjimit të vlerave euro-atlantike për të gjithë rajonin. E një nga këto çështje që diskutuam edhe për zhvillimin e vendeve tona është edhe projekti i mundshëm i ndërtimit të përbashkët i autostradës Prishtinë-Merdare-Nish, e mundësisht diskutuam edhe në prani të Baroneshës Ashton që të financohet prej Komisionit Evropian, financim që është në interes edhe të qeverisë së Kosovës edhe të Serbisë, që lehtëson lëvizjen e njerëzve e të mallrave jo vetëm ne shtetet e Kosovës dhe Serbisë por për të gjithë rajonin”.

TCH : Për çfarë statusi do të bëhet fjalë kur të përfundojë dialogu?

Kryeministri Thaçi: Kosova e ka të qartë statusin. Është zgjidhur njëherë e përgjithmonë, me 17 shkurt 2008, Kosova vend sovran dhe do të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. »

TCH : A e kishin dhe bashkëbiseduesit e kësaj darke zyrtare këtë qëndrim?

Kryeministri Thaçi: Ne nuk kemi shkuar në këtë fazë, por mund të them lirisht se i gjithë Komuniteti Ndërkombëtar e mbështet angazhimin tonë. Bashkimi Evropian në mënyrë unike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu. Ndërsa unë pres që në një të ardhme jo të largët që edhe Serbia ta njohë Republikën e Kosovës si një vend sovran”.

Përgatiti, Arta Tozaj

Top Channel