Obama: Të pasurit të paguajnë më shumë

09/11/2012 21:20

Presidenti i rizgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka deklaruar se të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa cilado parti të jetë në pushtet, duke paralajmëruar kështu vazhdimin e krizës së borxhit.

Obama tha se Kongresi duhet të veprojë kundër të ashtuquajturit “shkëmbi fiskal”, një paketë rritjesh taksash dhe shkurtimesh të shpenzimeve e parashikuar për vitin e ardhshëm.

Por në një konferencë paralele, zëdhënësi i Dhomës Republikane, John Boehner deklaroi se rritja e taksave do të ishte e papranueshme. Analistët financiare paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara do të mbeten në reçesion nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Zoti Obama ka bërë vazhdimisht thirrje për të pasurit që të paguajnë më shumë, por një plan i tillë është anatemuar nga republikanët. “Shkëmbi fiskal” parashikon përfundimin e epokës së taksave të George W. Bush në fund të 2012-ës, skemë kjo e shoqëruar me shkurtime automatike të shpenzimeve për ushtrinë dhe sektorë të tjerë të brendshëm.

Në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, zoti Obama tha ditën e premte se: “Ne nuk mund të ndërpresim rrugën e prosperitetit. Nëse vërtet duam të reduktojmë defiçitin, atëherë do të na duhet të kombinojmë shkurtimin e shpenzimeve me të ardhurat. Dhe kjo do të thotë t’u kërkojmë amerikanëve të pasur që të paguajnë pak më shumë taksa”.

“Unë dua të shprehem qartë. Nuk jam i fiksuar pas çdo detaji të planit tim, jam i hapur për kompromis, jam i hapur për ide të reja, por refuzoj të pranoj ofertat që nuk janë të balancuara”, theksoi Obama.

Presidenti përsëriti planin e tij për rritje të taksave për kë fiton mbi 250 mijë dollarë në vit, ndërsa i bëri thirrje kongresit për zgjatjen e kuotave aktuale për 98 për qind të taksapaguesve.

“Kjo ishte një çështje qendrore gjatë zgjedhjeve. U debatua dhe u ridebatua disa herë. Të martën mbrëma, ne zbuluam se shumica e amerikanëve janë dakord me propozimin tim”, shtoi Obama.

Top Channel