Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngul këmbë se hyrja në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës mund të ndodhë vetëm me liderin e saj Ramush Haradinaj kryeministër.

“Aleanca ka vetëm një ofertë dhe kjo është oferta që Aleanca të udhëheqë në qeverinë e Kosovës dhe lideri i saj, Ramush Haradinaj të jetë kryeministër. Kjo është ajo që ne kemi si ofertë dhe asgjë tjetër”, deklaroi Ardian Gjini, kreu i grupit parlamentar të AAK-së.

Por, partia e kryeministrit Hashim Thaçi PDK, duket se nuk është e gatshme ta negociojë këtë pozitë. Në Partinë Demokratike të Kosovës deklarojnë se vendimi për të formuar koalicion të ri do të merret në organet drejtuese të kësaj partie dhe nuk ka ndonjë arsye që Thaçi të lërë postin që ka.

“Edhe sikur të ishim ne të gatshëm, rrethanat e krijuara në Kosovë nuk lejojnë një gjë të tillë. Kryeministri i vendit është i suksesshëm dhe ne nuk kemi nevojë për ndryshime. Ne kemi nisur një proces dhe nuk guxojmë të luajmë me vetveten”, reagoi Adem Grabovci, kreu i grupit parlamentar të PDK-së.

Shtypi i ditës në Prishtinë flet për mundësinë e një plani ndërmjet PDK-së dhe AAK-së ku kryeministri aktual Hashim Thaçi do të bëhej President, që do të kërkonte 80 vota në Kuvend, ndërkaq lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj do ta zëvëndësonte atë në postin e Kryeministrit të Kosovës.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës koalicionin e mundshëm ndërmjet PDK-së dhe AAK-së e shohin si cështje e këtyre subjekteve, por deklarohen kundër mundësisë që të votojnë Thaçin për President.

“Ju e dini që Gjykata Kushtetuese në rastin Pacolli ka publikuar një vendim që kërkon që së paku 2/3 e deputetëve duhet të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit për të krijuar kuorumin për të zgjedhur Presidentin në Kuvend. Nëse zoti Thaçi planifikon dicka të tillë, duhet të ketë parasysh që do të ishte në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. LDK-ja natyrisht nuk e përkrah zotin Thaçi për president sepse mendojmë, sepse as kryeministër dhe as president nuk është në të mirë të popullit”, deklaron Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.

Në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshjeje për bashkëqeverisje, zyrtarë të AAK-së deklarohen se kjo parti do të vazhdojë të mbajë kursin e tanishëm në mbështetje të Qeverisë së Thaçit në çështje që kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë.

Sidoqoftë, ditë më parë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se është duke bërë një plan për bashkëqeverisje me PDK-në, por nuk ka dhënë hollësi të tjera për këtë, duke theksuar se AAK do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Top Channel