Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të emërojë javën e ardhshme përfaqësuesin diplomatik të Prishtinës në Beograd.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e radhës së kabinetit qeveritar, në të cilën kryeministri Thaçi raportoi për takimin me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. Autoritetet kosovare duket se ende nuk kanë vendosur për emrin konkret, por sipas kryeministrit, postin e përfaqësuesit të Kososovës në Serbi do ta marrë njëri nga ambasadorët aktualë.

“Javën e ardhshme, qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, pas konsultimeve edhe me presidenten Jahjaga, do të emërojmë një prej ambasadorëve, si përfaqësues të Kosovës në Beograd. Ndërsa, sa i përket afatit kohor, të emërimit të zyrtarëve ndërlidhës, pra përfaqësuesve të shteteve respektive, ne kemi menduar dhe kemi rënë dakord që kjo të bëhet deri në fund të muajit dhjetor”, tha Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, Top Channel kontaktoi zyrën e presidentes Jahjaga dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Zyrtarë të Presidencës kosovare thonë se janë në pritje të propozimit nga Ministria e Jashtme. Ndërkaq, Ministria e Jashtme tha se ende nuk është vendosur për ambasadorin, i cili do të shkojë në Serbi, dhe se kjo do të bëhet në ditët në vijim.

Ajo që bëhet e ditur nga kryeministri Thaçi është se zyrat ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, do të vendosen në zyrat e Bashkimit Europian në Prishtinë e Beograd.

Në vijim të raportit para kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi shtoi se zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit përkufizon sovranitetin e Kosovës.

“Qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës i ftoj të bashkëpunojnë me të gjitha agjencitë qeveritare, me qëllim që të evitohen problemet e mundshme, të cilat mund të nxiten nga grupe të ndryshme të interesit, që mund të jetë kundër vendosjes së rendit e ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës”, tha Thaçi.

Sa i përket ndihmës financiare të Serbisë për serbët e Kosovës, në Bruksel është diskutuar idea për krijimin e një fondi të veçantë, në të cilin do të mblidhen paratë që Serbia dërgon për qytetarët serbë.

“Ne kemi diskutuar edhe lidhur me mundësinë, që të themelohet një fond i veçantë, i cili do të menaxhohet bashkarisht me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Takimi i radhës Thaçi-Daçiç do të mbahet në javën e tretë të muajit janar, ndërkaq që ekipet e tjera të të dyja palëve do të punojnë gjatë gjithë kohës.

Top Channel