Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se situata në Kosovë është shumë e rëndë dhe se nevojitet angazhimi i të gjithëve për ta përmirësuar atë.

Duke folur nga Gjilani, Haradinaj ka ofruar gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për të kontribuar në ripërtëritjen e gjendjes së Kosovës.

“Përpara Kosovës është një epokë e re, ajo e integrimit në BE dhe NATO, për të cilën nevojitet një gjeneratë e re që të ndihmojë Kosovën në këtë proçes”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, i kthyer në Kosovë së fundmi nga gjykata e Hagës, synon të marrë drejtimin e qeverisë së vendit përmes një marrëveshjeje me kryeministrin aktual Hashim Thaçi.

“Ideja është që të tërhiqet Thaçi. Ne kemi këtë ofertë, jo ofertë tjetër”, deklaroi ai pak ditë më parë në një intervistë për “VOA”.

Haradinaj nënvizoi se, për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe për të vazhduar me një trend pozitiv, ky është varianti i vetëm, pasi edhe koha deri në zgjedhje është shumë e shkurtër.

“Deri në zgjedhje duhet të bëhen shumë punë, që ato të jenë të mira dhe që si proçes të jetë më cilësor. Është një investim që bëhet tani për zgjedhjet e ardhshme”, tha Haradinaj.

Ndërsa të premten, për gati një orë ai u takua me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi, por në fund të takimit ata thanë se nuk kishin folur për çështjen e koalicionit qeveritar.

Thaçi e Haradinaj deklaruan se ranë dakord për bashkëpunim në temat aktuale që kanë të bëjnë me dialogun Prishtinë-Beograd, për reformën elektorale dhe për proçesin e integrimit të Kosovës në BE.

Po dje Haradinaj u takua edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin u pajtua për të bashkëpunuar në proçese që janë në interes të Kosovës.

Top Channel