Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se dialogu me Kosovën është
jetik për të ardhmen e Serbisë në radhët e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për televizionin arab “Al Jazira”, Daçiç i ka cilësuar takimet me kryeministrin Thaçi si tërësisht normale, duke vënë në dukje se problemet sot zgjidhen përmes bisedimeve.

“Duhet kuptuar se tani jetojmë në shekullin e 21-të. Do të takohem edhe me Haradinaj nëse ai zgjidhet kryeministër i Kosovës, pasi bisedimet nuk bëhen me ata që dëshiron, por me ata me të cilët ke probleme”, ka thënë Daçiç.

Më 17 janar është parashikuar të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit serb dhe atij kosovar Hashim Thaçi, edhe këtë herë nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Axhenda e bisedimeve nuk është ende e qartë, por ndërsa në Prishtinë është kërkuar trajtimi i çështjes së të pagjeturve, në Beograd është promovuar platforma për Kosovën, e hartuar me nismë të presidentit Tomisllav Nikoliç.

Disa ditë më parë Nikoliç deklaroi se këtë dokument, ku kërkohet me ngulm një autonomi për serbët e veriut, do t’ia prezantojë Brukselit dhe më gjerë.

Por faktori politik kosovar insiston se, në bisedime nuk do të trajtohet një platformë e tillë, duke e cilësuar atë si një dokument për “konsum të brendshëm” të Serbisë.

Top Channel