Qeveria e Serbisë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për me tepër ajo i klasifikon institucionet Kosovës si “institucione të përkohshme vetëqeverisëse” në Prishtinë.

Ky është vetëm një fragment në rezolutën e qeverisë së Serbisë e cila i është dërguar parlamentit serb për miratim. Aty thuhet se qëllimi i rezolutës është përcaktimi i kornizave themelore për bisedimet me “përfaqësuesit e institucioneve të përkohëshme vetëqeverisëse në Prishtinë“, duke krijuar kështu në këndvështrimin e palës serbe, dy palë të pabarabarta në procesin e dialogut.

Në rrethana të tilla përfaqësuesit e dy subjekteve opozitare në Kosovë LDK  dhe Vetëvendosje mendojnë se qeveria e kryeministrit  duhet të tërhiqet nga procesi i dialogut.
 
“Cdo qendrim që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me rezolutën e parlamentit, absolutisht që shkakton përgjegjësi të menjëherëshme të zotit Thaçi. Por kjo do të ishte e keqja më e vogël për këtë vend, sepse pasojat do të ishin më të mëdha. Nëse do të vazhdohet kështu të imponohet edhe qendrimi edhe platforma, duhet të shohim në ta ardhmen për hapa të tjerë, pse jo edhe të mos vazhdonim bisedimet”, thotë Ismet Beqiri, kreu i grupit parlamentar të LDK-së.
 
Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje vetëm sa forcon qëndrimin e saj se kryeministri Hashim Thaci duhet të mos shkojë fare në takimin e 17 janarit duke i thënë kështu jo diskutimeve për veriun. Sa i përket rezolutës së qeverisë Serbisë nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se Serbia ka vendosur pikat e saj të forta nëpërmjet të cilave do të kërkojë një krijimi e një shteti brenda shtetit të kosovës.
 
“Sa i përket veriut në fakt rezoluta e qeverisë së Serbisë parasheh vendosjen e ‘bashkësisë autonome të komunave serbe të Kosovës’, të cilën do ta përbënin autonomia territoriale e katër komunave të veriut dhe komunave tjera me popullsi shumicë serbe si Gracanica, Shtërpca”, thotë zoti Konjufca.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës sikurse edhe koordinatori i bisedimeve politike me Serbinë, Blerim Shala nuk kanë pranuar të flasin për mënyrën e re të prezantimit të palës serbe në dialog. Ndërkaq i pyetur nga gazetarët nënkryetari tjetër i AAK-së Ardian Gjini tha se Kosova nuk guxon gjithmonë që të jetë reaktive me atë që ndodh në Serbi. Sipas tij, Kosova duhet të ketë planet e veta, strategjinë e vet, të respektojë Kushtetutën e vet dhe ato vendime që i ka marr Kuvendi i Kosovës.

Top Channel