Serbia njoftoi daljen me dy platforma për bisedimet mes Kosovën, platforma këto që kanë hasur në reagime e kundërshti nga klasa politike opozitare në Prishtinë. Por për BE-në, këto platforma nuk kanë asnjë rëndësi në dialogun dypalësh.

Këtë e bëri me dije i dërguari i posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar. Në një intervistë dhënë për seksionin serbisht të RTK-së, zyrtari i lartë europian dha se e vetmja platformë e vlefshme në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit është ajo e Bashkimit Europian, platformë e miratuar në bazë të përfundimeve të ministrave të BE-së në dhjetorin e kaluar.

“Nuk mund të komentoj platformën e Serbisë. Për mua platformë në procesin e dialogut mbetet ajo e Këshillit të Ministrave të BE-së e muajit dhjetor ku në mënyrë të qartë janë përcaktuar të gjitha kërkesat e vendeve të Bashkimit Europian për Kosovën dhe Serbinë. Mbi bazën e këtyre përfundimeve po udhëhiqet edhe procesi i dialogut”, tha Zbogar.

Duke u ndalur tek arritjet mes palëve në këtë dialog, Zbogar tha se deri më tani janë bërë hapa të rëndësishme përpara, por se në të ardhmen pret rezultate më të mëdha në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e dy vendeve.

Top Channel