Armstrong pranon: Kam përdorur doping

15/01/2013 00:00

Pas më shumë se një dekade ku mohonte çdo lidhje mes tij dhe substancave dopuese, çiklisti amerikan, Lance Armstrong, i vendosur me shpatulla pas murit nga raporti hetues i Agjencisë Amerikane Anti-Doping, dorëzohet.

Në një intervistë dhënë për Oprah Winfrey, Armstrong pranon se ka përdorur substanca të palejuara përgjatë gjithë karrierës së tij sportive, karrierë në të cilën fitoi 7 herë Turin e Francës, tituj që më pas iu hoqën, si nga USADA ashtu edhe nga Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit.

Intervista e plotë e tij do të transmetohet ditën e enjtë. Agjencia Associated Press thotë se para intervistës, Armtrong u kërkoi ndjesë të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në sport dhe në aktivitetin bamirës me fondacionin “LiveStrong”, fondacion i ngritur prej tij në luftën kundër kancerit.

Vetë çiklisti ka vuajtur për vite me radhë nga kjo sëmundje, por në fund mundi të dalë fitimtar. Kjo e shndërroi atë në një ikonë, që i shtohej rekordit absolut në çiklizëm.

Por gjithçka e ngritur prej Armstrong do të shembej brenda pak muajve nga dalja e raportit të agjencisë amerikane. Dosja voluminoze përshkruan në detaje gjithë skemën e ngritur prej çiklistit, që nga mënyra e marrjes së dopingut, e deri tek presioni ndaj shokëve të skuadrës për djegie të karrierës nëse do të tregonin.

Top Channel