Bylykbashi: Për mandatet vendos Kuvendi

15/01/2013 20:00

Shefi i kabinetit të kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi, bashkëhartues i Kodit Elektoral dhe një nga njerëzit kyç të demokratëve në proçeset zgjedhore, thotë se është Kuvendi i Shqipërisë institucioni i vetëm që duhet të vendosë tani për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e qershorit.

Duke ndarë një opinion krejt të kundërt me socialistët, sipas të cilëve KQZ-ja ka kohë deri në 7 mars, zoti Bylykbashi thotë se Kodi Zgjedhor e përcakton këtë afat për Parlamentin.

“Aspektet proçedurale të KQZ janë kryer dhe përmbyllur. KQZ nuk ka më asnjë kompetencë tjetër në këtë fazë. Mundësia për ta zhbllokuar ishte nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, por askush nuk u ankua, as PS dhe tani fjala është vetëm e Kuvendit për të ushtruar sovranitetin e tij. Por nuk më takon mua të them çfarë do të bëjë Kuvendi. Ajo që është më e rëndësishme është që Kuvendi ta ushtrojë, pra të mos pengohet qoftë nga një parti politike, qoftë nga 2-3 anëtarë të KQZ, pra nga askush. Kompetenca është e tij, sovraniteti është i tiji dhe çdo gjë tjetër do të ishte atentat ndaj Kushtetutës”, deklaron Bylykbashi.

Sipas shefit të kabinetit të kryeministrit, me keqinterpretimin e Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste po fakton çdo herë strategjinë e saj të bllokimit, edhe në KQZ, për të marrë përfitime ekstraligjore.

“Ne jemi përpara një sulmi arrogant. Dhe është gjithashtu e papranueshme tentativa e Partisë Socialiste për të zëvendësuar ligjin, Kodin, Kushtetutën dhe rregulla të tjera të shkruara në këtë vend me kompromise politike pas dyersh të mbyllura”, nënvizon Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi thotë se veprimet e Partisë Socialiste për të politizuar dhe bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë vetëm një shpjegim, që sipas tij nuk ka lidhje me standartin e zgjedhjeve, por me rezultatin e tyre.

“Në këto pretendime të kohëve të fundt të Partisë Socialiste konstatoj një frikë gjithmonë e në rritje të saj jo për shkeljen e standarteve apo cënimin e zgjedhjeve, por një frikë të PS për humbjen që po vjen”, shton Bylykbashi.

Top Channel