Algjeri, 41 të huaj merren peng

16/01/2013 00:00

Një britanik dhe një shtetas tjetër i paidentifikuar ende dhe të paktën 41 të rrëmbyer është bilanci i një sulmi terrorist të marrë përsipër nga grupe të lidhura me Al Kaedan në lindje të Algjerisë.

Viktimat dhe personat e marrë peng janë punonjës në një vendburim nxjerrjeje nafte dhe gazi në rajonin In Amenas që menaxhohet nga BP, StatOil dhe kompania algjeriane Sonatrach. Autobusi i tyre u sulmua nga persona të armatosur në momentin kur po shkonin të merrnin turnin.

Informacionet janë kontradiktore. Reuters flet për një britanik dhe një francez të vrarë, ndërsa agjencia shtetërore algjeriane thotë se që të gjithë pengjet janë me shtetësi britanike dhe norvegjeze. BBC, duke cituar një zëdhënës të terroristëve thotë se mes 41 personave
të marrë peng ka amerikanë, francezë, britanikë dhe japonezë.

Sulmi është marrë përsipër nga militantë të lidhur me Al Kaedan që e cilësojnë sulmin e tyre si kundërpërgjigje ndaj operacioneve ushtarake franceze në Mali. Aktualisht, ushtria algjeriane ka rrethuar gjithë zonën në përpjekje për të liruar pengjet.

Që nga e premtja, Franca është përfshirë ushtarakisht në konfliktin mes qeverisë së Malit dhe rrebelëve të lidhur me grupet ekstremiste islamike dhe Al Kaedan. Këto të fundit kërcënuan Parisin se do të “pendohet për vendimin e tij” dhe bënë thirrje për sulme ndaj interesave franceze në mbarë botën.

Top Channel