Mali, Haga nis hetime për krime lufte

17/01/2013 03:50

Trupat ushtarake franceze janë duke luftuar me rebelët islamikë në rrugët e qytetit Diabaly, bëjnë të ditur burime maliane dhe franceze.

Në operacionin e parë të madh tokësor në këtë konflikt, forcat speciale franceze janë duke luftuar përkrah ushtarëve të Malit.

Diabaly, 350 km në veri të kryeqytetit Bamako, u pushtua nga rebelët gjatë ditës së hënë.

Franca ndërhyri në Mali të premten e kaluar, në përpjekje për të ndalur vrullin e islamikëve, të cilët janë drejtuar më në jug, në drejtim të kryeqytetit.

Në një zhvillim të ndarë nga sa u fol më sipër, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (Haga) ka nisur një hetim për krime lufte, duke u fokuauar në aktet e kryera, që prej janarit 2012 në disa rajone veriore të këtij vendi.

“Pas çdo faze të këtij konflikti, grupe të ndryshme të armatosura kanë shkaktuar rrënime dhe humbje njerëzore nëpërmjet një sërë veprimesh, të dyshuara si dhunë ekstreme”, tha Fatou Bensouda.

“Jam i bindur se disa prej këtyre veprave brutale dhe shkatërruese mund të përbëjnë krime lufte”.

Top Channel