“Të përgatitemi për lajme më të rënda”

17/01/2013 23:45

Duket se kriza e pengjeve në një impiant të gazit në Algjeri do të jetë më e rëndë për britanikët.

Kryeministri David Cameron ka deklaruar se Britania do të duhet të përgatitet për lajme më të këqija. Dihet se një britanik ka humbur jetën dhe shumë të tjerë janë kapur pengje.

Cameron tha: “Ne jemi përballë një situate mjaft të rëndë në këtë impiant të gazit të kompanisë britanike BP”.

Një numër britanikësh janë marrë peng. Situata është fluide dhe në zhvillim e sipër, sipas kryeministrit, i cili do ta ndjekë situatën nga Londra. Për këtë qëllim ai ka anuluar edhe fjalimin e shumëpritur për të ardhmen e Britanisë në BE, që do ta mbante të premten.

Sipas njoftimeve nga Algjeria, trupat e ushtrisë së këtij vendi kanë sulmuar uzinën, ku militantë të lidhur me al-Kaedën kanë marrë pengjet. Një numër pengjesh janë liruar, mes tyre edhe një 36-vjeçar irlandez.

Sipas zëdhënësit të kryeministrit, Britania nuk është njoftuar paraprakisht për sulmin e ushtrisë algjeriane kundër pengmarrësve. Cameron u informua nga biseda me kryeministrin algjerian, në kohën kur sulmi kishte filluar.

Grupi i lidhur me al-Kaedën tha se sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve kundër militantëve në Mali, ndërkohë që ministri i Jashtëm britanik, Uilliem Hejg, ishte skeptik për një lidhje të tillë.

Top Channel