Armstrong: Pa doping, e pamundur të fitosh

18/01/2013 00:00

“Pa doping është e pamundur të fitosh shtatë Ture të Francës”. Ky është rrëfimi i Lance Armstrong për Oprah Winfrey, intervistë e xhiruar që të hënën, por që të enjten u transmetua e plotë.

“E shoh këtë situatë si një gënjeshtër e madhe që e kam përsëritur vazhdimisht. Unë i kam marrë ato vendime, dhe ato janë gabimet e mia ndaj jam këtu që të kërkoj ndjesë”, nisi fjalën e tij Armstrong.

Amerikani pranoi se kishte përdorur një koktejl lëndësh dopuese në të shtatë vitet kur u shpall fitues i Turit të Francës, por refuzoi që skema e përdorur prej tij ishte skema më e madhe mashtruese në botën e sportit duke thënë se “ishte e skemë e zgjuar, por jo më e madhja”.

Çiklisti amerikan rrëfeu herën e fundit kur kishte marrë doping, në vitin 2005, ndërsa në 2009-2010 tha se nuk kishte përdorur të tilla substanca.

E gjithë skema e mashtrimit u zbardh pas një hetimi të gjatë të agjencisë amerikane anti-doping, USADA që më pas i hoqi titujt sportive Armestrong, vendim ky që u pasua edhe nga Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit.

Top Channel