Algjeri, mbi 100 pengje të liruar

18/01/2013 20:50

Qindra pengje janë liruar nga militantët në impiantin algjerian të gazit, por rreth 30 shtetas të tjerë të huaj vazhdojnë të mbahen peng.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “APS”, 573 algjerianë dhe rreth 100 nga 132 punonjës të huaj janë liruar nga impianti që ndodhet në lokalitetin In Amenas.

Militantët vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur në impiant, ku ndodhen edhe dhjetra pengje, disa prej të cilëve janë strehuar në zona të ndryshme të kompleksit.

Agjencia zyrtare e lajmeve bën gjithashtu të ditur se forcat speciale janë duke kërkuar një zgjidhje paqësore të krizës, ndërkohë që impianti ka ndërprerë të gjitha funksionet për të shmangur rrezikun e një shpërthimi.

Agjencia thotë gjithashtu se 12 punëtorë kanë vdekur që kur nisi operacioni i shpëtimit ditën e enjte, mes të cilëve algjerianë dhe të huaj.

Më herët burimi kishte publikuar një numër të pasaktë të pengjeve të liruara, duke thënë se ishte liruar më shumë se gjysma e 132 personave. Ndërsa nga militantët, 18 prej tyre u neutralizuan.

Ndërkohë, Foreign Office ka refuzuar të komentojë shifrat e fundit të “APS”, ndërsa autoritetet japoneze kanë deklaruar se janë rreth 14 shtetas japonezë që ende mungojnë, ndërsa tre të tjerë janë arratisur.

Norvegjia deklaron se 8 shtetas të saj mbahen peng dhe 5 të tjerë janë arratisur, ministri i Brendshëm francez tha se, dy punëtorë francezë janë të sigurt, ndërkohë që nuk dihet fati i dy të tjerëve.

Një irlandez, një austriak dhe pesë amerikanë janë liruar, por Departamenti i Shtetit konfirmoi se ka ende amerikanë që ndodhen në impiant.

Duke iu përgjigjur lajmeve se rrëmbyesit kanë sugjeruar një shkëmbim të pengjeve me militantët e burgosur në Amerikë, zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland tha se: “SHBA nuk negociojnë me terroristët”.

Top Channel