Obama: Vazhdon lufta ndaj terroristëve

20/01/2013 08:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, fajësoi “terroristët” për vdekjen e 23 prej pengjeve që mbaheshin në vendburimin naftënxjerrës të In Amenas në jug-lindje të Algjerisë, pranë kufirit me Libinë.

“Ky sulm na kujton edhe një herë tjetër se kërcënimi i Al Kaedës dhe grupeve të tjera terroriste është mes nesh”, tha Obama të shtunën.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për të luftuar terrorizmin në Afrikën e Veriut”, shtoi presidenti amerikan.

Pengmarrja nisi të mërkurën kur një grup militantësh ekstremistë islamikë sulmuan autobusin me punonjësit e burimit naftënxjerrës të menaxhuar nga kompania britanike BP, norvegjezja StatOil dhe ajo algjeriane Sonatrach.

Që prej së enjtes, militantët u vendosën në pozicione mbrojtëse bashkë me pengjet e huaj, ndërkohë që punonjësit algjeriane u lanë të lirë. Ushtria rrethoi zonën dhe sulmi i parë për lirimin e pengjeve ishte dramatik. Të paktën 13 pengje mbetën të vrarë nga kjo përpjekje, ndërsa vendet perëndimore nisën të bëjnë bilancet e shtetasve të tyre që humbën jetën.

Punonjësit e marrë peng ishin kryesisht britanikë, norvegjezë por kishte edhe amerikanë, japonezë e francezë. Informacionet e mbërritura nga vendngjarja përgjatë 3 ditëve të pengmarrjes ishin kundërshtuese dhe ende mbetet për t’u zbardhur numri total i viktimave të sulmit terrorist.

Ministri i Brendshëm algjerian mohoi se sulmi ishte ndërmarrë nga ekstremistët që kontrollojnë pjesën veriore të Malit. Ai tha se autorë të sulmit ishin shtetas algjerianë, pjesë e një organizate terroriste të lidhur me Al Kaedan.

Vetë këta të fundit deklaruan se pengmarrja ishte një përgjigje ndaj ndërhyrjes ushtarake franceze në Mali. Parisi ndërhyri ushtarakisht një javë më parë në vendin afrikano-perëndimor për të ndalur atë që e quajti rënien e kryeqytetit Bamako në duart e ekstremistëve.

Përfshirja e Francës tërhoqi angazhimin e vendeve të tjera perëndimore si dhe atyre rajonale në konflikt për të ndihmuar qeverinë e Malit të rimarrë kontrollin në zonat veriore dhe veri-lindore të vendit.

Franca parashikon angazhimin në konflikt e të paktën 1700 trupave tokësore, vec mbështetjes nga ajri dhe asaj logjistike për forcat e qeverisë vendase. Ndërhyrja nisi me bombardimet e bazave rebele në veri të vendit, ndërsa në fillim të javës, trupat franceze u përfshinë direkt në luftime me rebelët në qytetin e Diabalas.

Top Channel