Sinjal nga “lart” Vatikanit?

12/02/2013 01:20

Ishte ora 11:46 e mëngjesit, kur agjencia italiane e lajmeve “Ansa” dha lajmin e dorëheqjes së Papa Benediktit të 16-të, pasi Giovanna Chirri, vatikaniste e agjencisë së lajmeve, e pranishme në sallë, kuptoi drejpërsëdrejti nga latinishtja deklaratën e Atit të Shenjtë.

Përpara se lajmi të konfirmohej nga zyra e shtypit të Vatikanit, brenda pak sekondave ai u dha nga të gjitha mediat kryesore të botës. E ndërsa zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, gjatë një konference të gjatë për shtyp, shpjegoi se Ati i Shenjtë nuk lë detyrën e tij për shkak të ndonjë sëmundjeje të caktuar dhe se Papa i ri do të zgjidhet brenda marsit, mbërritën reagime nga eksponentë të politikës e fesë në Itali.

Presidenti Giorgio Napolitano shprehu “respekt të madh” për Papën, ndërsa ish-kryeministri Silvio Berlusconi tha se e admiron për këtë akt përgjegjësie të madhe.

Mario Monti, i cili përpara pak kohësh dha dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë teknike italiane, tha se “është shumë i tronditur nga ky lajm i papritur”. Lideri i së majtës italiane, Pierluigi Bersani, e cilësoi si diçka historike dhe vuri në dukje se akti i Papa Racinger përfaqëson një të re për të ardhmen.

Të njëjtën ide ka dhe Gianluigi Nuzzi, gazetari që, me librin e tij, shkaktoi furtunën e daljes së dokumentave sekrete nga Vatikani, vitin e kaluar. Ai u shpreh se “akti i Benediktit të 16-të ishte revolucionar, siç ishte revolucionar papati i tij, konservator e njëkohësisht novator”.

Ngjarja e çuditshme

Pak orë pas deklaratës shokuese të Papës, që zhyti në pështjellim kishën katolike, bazilika e Shën Pjetrit u godit nga një rrufe. Fotografia e veçantë, që tregon pikërisht këtë moment, ka përfunduar në faqet online të gazetave më të mëdha italiane e atyre britanike.

“Mos është vallë një shenjë nga lart?”, komentonte “Daily Mail” foton e përcjellë në faqen e parë të saj nga e përditshmja italiane “La Republicca”.

Edhe pse zyrtarët deklaruan publikisht, se nuk ka pasur asnjë lloj presioni mbi Atin e Shenjtë për ndërmarrjen e një hapi të tillë, interneti është mbushur me spekulime, sipas të cilave pas këtij vendimi mund të qëndrojë diçka aq e rëndë, sa Papa Benedikti nuk ka pasur zgjedhje tjetër përveçse të largohet.

Top Channel