Vatikani mendon zgjedhje të parakohshme

16/02/2013 16:45

Vatikani po shqyrton thirrjet e kardinalëve për të mbajtur një konklavë më herët nga sa është planifikuar, pasi Papa Benedikti XVI do të lërë detyrën më 28 shkurt.

Në bazë të rregullave aktuale, zgjedhjet mund të mbahen më 15 mars, për t’u dhënë kardinalëve kohën e duhur për të udhëtuar në Romë.

Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi deklaroi se autoritetet po ekzaminojnë nëse rregullat mund të ndryshohen.

Benedikti XVI, 85 vjeç, njoftoi dorëheqjen e tij të hënën e kaluar, duke e argumentuar me moshën tepër të thyer vendimin e tij.

Pasuesi i tij do të zgjidhet mes 117 kardinalëve, të cilët do të votojnë në një proçes sekret që do të mbahet në dhomën e njohur si Kapela Sistina, në Selinë e Shenjtë.

Votimi duhet të mbahet përpara ditës së Pashkës, që është më 31 mars dhe është një nga ditët më të shenjta në kalendarin e kishës.

Sipas kushtetutës së Selisë së Shenjtë, konklava duhet të mblidhet 15 deri në 20 ditë nga dita kur posti i Papës mbetet vakant. “Rregulli në fjalë u jep të gjithë kardinalëve që mungojnë kohën e duhur për të udhëtuar drejt Romës”, ka thënë Lombardi.

Por, sipas tij, perspektiva për të afruar datën e zgjedhjeve është propozuar nga një numër i caktuar i vetë kardinalëve. Dhe, duke qenë se tashmë dihet se kur Papa do të tërhiqet, ata kanë kohë të mjaftueshme për të organizuar udhëtimin.

“Është e mundur që autoritetet e kishës të përgatisin një propozim që të miratohet nga kardinalët në ditën e parë të tërheqjes së Papa Ratzinger”, ka shtuar Lombardi.

Top Channel