Pavarësia e Kosovës, festimet në Tiranë

17/02/2013 00:00

Festimeve të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës iu bashkua edhe Tirana, me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia, por edhe të rinj e të reja nga shkollat e kryeqytetit. Në sheshin Skënderbej, qindra gjimnazistë dhanë një performancë spontane ose siç njihet në të gjithë botën me emrin ‘flash mobe’, shoqëruar nga ritmet e muzikës së këngëtares shqiptare, me famë ndërkombëtare, Rita Ora.

Në përfundim të performancës, pesë pëllumba të bardhë u lëshuan në fluturim në shenjë simbolike për pesë vitet e pavarësisë së Kosovës.

Urimi i të rinjve të kryeqytetit shqiptar për pavarësinë e Kosovës u mbajt paralel me dy aktivitete të tjera të ngjashme në Prishtinë dhe Shkup.

Në një tjetër atmosferë festive, zona pedonale në kryeqytet mblodhi me dhjetëra qytetarë në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës. Në skenën e improvizuar në qiell të hapur u ngjitën dj, grupe muzikore dhe këngëtarë nga Shqipëria e Kosova si Juliana Pasha, grupi ‘Na’ apo Valon Shehu.

Në Muzeun Kombëtar vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita me fotografitë e të rënëve dhe dëshmorëve gjatë luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës nga Kukësi, Hasi, Tropoja, Librazhdi Tirana etj.

FRD: Jo nacionalizmave

Në 5-vjetorin e Kosovës shtet, të rinjtë e Frymës së Re Demokratike u tubuan para Ambasadës së Kosovës nga ku u kërkuan politikanëve shqiptarë të ulin tonet nacionaliste dhe të kontribuojnë në shtimin e njohjeve të Kosovës.

Nertila Marku, përfaqësuese e Rinisë së FRD-së, theksoi: “Rinia e FRD-së u bën thirrje politikanëve shqiptarë të ulin tonet nacionaliste sepse vetëm në këtë mënyrë ata do ta ndihmojnë Kosovën të jetë një shtet i konsoliduar. Ne mendojmë se rruga e vetme e Shqipërisë dhe Kosovës është rruga e Bashkimit Europian dhe në këto momente akti më patriotik për politikën shqiptare është lobimi për njohjen e Kosovës shtet nga shtetet që ende nuk e kanë njohur.”
     
 
     

Top Channel