Mesha e Papës së dorëhequr

17/02/2013 00:00

Një e dielë e pazakontë kjo e sotmja në Romë ku lutja tradicionale e të dielës ka mbledhur në Vatikan rreth 50 mijë besimtarë për të dëgjuar Benediktin e 16-të. Është hera e parë në histori që kjo lutje bëhet nga një Papë që ka dhënë dorëheqjen dhe ështe e parafundit për të.

Edhe të dielën e ardhshme, më 24 shkurt, ai do të jetë i pranishëm e më pas, më 28 shkurt, në orën pesë pasdite do të largohet me helikopter drejt rezidencës në Castelgandolfo, pranë Romës, ku ai do të qëndrojë rreth dy muaj.

Turmat e besimtarëve që në orët e para të mëngjesit mbushën rrugët përreth Shën Pjetrit dhe pritën me durim shfaqjen e Papës në dritaren e tij në mesditë. Thirrjet dhe duatrokitjet e besimtarëve pritën me ngrohtësi Benediktin e 16-të, i cili falenderoi disa herë për praninë dhe për mbështetjen shpirtërore që ka pasur në këto ditë të vështira.

Papa Ratzinger ftoi që të mos “instrumentalizohet Zoti për synimet e secilit, duke i dhënë më shumë rëndësi suksesit dhe të mirave materiale”: “Në çastet vendimtare, e po ta shohesh mirë, në çdo çast, jemi përballë një udhëkryqi: duam apo jo ta ndjekim Zotin? Interesin individual apo të mirën e vërtetë, pra atë që realisht është e mira?”

Një Papë që në këto deklarata të fundit të tij është gjithnjë e më guximtar dhe shumë aktiv në lënien e një trashëgimie sa më të pasur, por që pa dyshim është shumë e vyer.

Top Channel