Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton vjen të enjten në Prishtinë për të zhvilluar takime me krerë të shtetit dhe të partive politike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi vlerëson se vizita e zonjës Ashton në Prishtinë nuk është presion, por ndihmesë për autoritetet kosovare në zgjidhjen e problemit me Serbinë.

“Konsideroj se ardhja e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, apo cilitdo vend tjetër në Kosovë, nuk duhet të shihet si presion. Duhet ta shohim si vizitë në shërbim të proçeseve nëpër të cilat kalon Kosova. Është çështje tjetër mënyra se si drejtuesit e Kosovës e kuptojnë atë, si ndihmë apo si presion”, ka deklaruar Krasniqi.

Nga ana tjetër, shefi i grupit paralementar të AAK-së, Ardian Gjini shton se proçesi i dialogut Prishtinë-Beograd është delikat dhe po përcillet me shumë paqartësi të cilat sipas tij janë të dy natyrave. Kjo, pavarësisht faktit se AAK-ja është pjesë e proçesit të dialogut nëpërmjet nënkryetarit të saj Blerim Shala.

“Mendoj se të gjithë e kanë të qartë se çfarëdo ndryshimi që mund të ndodhë, i cili ka implikime kushtetuese ose ligjore, kërkon ratifikim në Kuvend me 2/3. Dhe nëse ka mbetur një dilemë se si të ecet përpara, atëherë ky është një rast i mirë edhe për ne, edhe për baroneshën Ashton. Mos harroni se është një vizitë e rëndësishme që të qartësohen këto çështje. Këto proçese që po kalon Kosova janë proçese delikate dhe mendoj se çështja kryesore është mos të ketë paqartësi dhe që momentin kur ne duhet të sillemi konform Kushtetutës dhe ligjit të mos ketë dikush të paqartë se ku jemi dhe çfarë po ndodh”, ka thënë Gjini.

Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila vendosi që në seancën e së enjtes të votohet për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në këtë pozitë garojnë guvernatori aktual Gani Gërguri dhe ish-ministri i financave nga radhët e PDK-së Bedri Hamza. Kandidimi i këtij të fundit kundërshtohet ashpër nga opozita me arsyetimin se banka qendrore rrezikon të politizohet.

“Ne e kundërshtojmë fuqishëm zgjedhjen e tij dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancë. Edhe njëherë po e them se BQK-ja po shndërrohet në bankë partiake të PDK-së”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Por në dallim nga LDK-ja, e cila nuk do të marrë fare pjesë ne seancën e Kuvendit, AAK-ja ka vendosur që të votojë kundër Hamzës.

Por për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në gjithë këtë histori e rëndësishme është që kandidatët të dëshmojnë aftësi profesionale për postin që fitojnë.

“Unë nuk i kam shumë problem numrat, por nuk jam vetëm ithtar i numrave që të kem në kuorum. Jam ithtar i asaj që të angazhohemi së bashku, pozitë dhe opozitë, sepse vendi ynë është duke e kaluar një periudhë tepër të ndjeshme”, ka deklaruar Grabovci.

Zoti Grabovci paralajmëroi se në seancën e së martës do të kërkohet që të futet në rendin e ditës edhe raportimi i kryeministrit Hashim Thaçi për raundin e fundit të dialogut me kryeministrin e Serbisë. Për këtë çështje pritet të vendoset në seancën e Kuvendit.

Top Channel