Autoriteteve shtetërore serbe, në takimin e sotëm me kryediplomaten evropiane Catherine Ashton, do t’u ofrohen “institucione të caktuara qeveritare në veri të Kosovës dhe një lloj statusi special për këtë zonë”.

Kështu raportojnë mediat serbe, sipas të cilave pranimi i kësaj oferte do t’i hapte rrugën Serbisë për marrjen e datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Nëse oferta e Brukselit do të jetë e pranueshme për Beogradin, Ashton më 16 prill do t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave që t’i caktojë Serbisë datën për nisjen e bisedimeve për anëatarësimin në bllok”, njofton agjencia e lajmeve “Tanjug”, që citon burime konfidenciale.

Deri më tani Prishtina është shprehur fuqishëm kundër statusit të veçantë për veriun e Kosovës, duke thënë se për gjithë territorin e vendit do të vlejnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Gjithësesi, pritet që qëndrimi i Prishtinës zyrtare të jetë më i qartë pas vizitës që vetë baronesha do të zhvillojë në kryeqytetin kosovar nga mesi i javës.

Takimi i sotëm me autoritetet serbe dhe vizita në Prishtinë do të pasojnë më pas me takimin e radhës mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, që do të mbahet më 20 mars.

Në takimin e fundit të zhvilluar mes tyre u arrit një marrëveshje verbale për shpërbërjen e strukturave paralele serbe që veprojnë në zonën problematike të Kosovës.

Top Channel