Papa, një ekskluzivitet mashkullor

13/03/2013 00:00

Janë rreth 600 milion femra besimtare katolike në botë, por asnjë prej tyre nuk ka të drejtën për të zgjedhur Papën e ri. 115 kardinalët që janë izoluar për zgjedhjen e pasuesit të Benediktit të XVI, janë të gjithë meshkuj. Njëri prej këtyre 115 do të udhëheqë Selinë e Shenjtë, duke vazhduar historinë e ekskluzivitetit mashkullor në këtë post.

Ka një legjendë dhe dy filma janë ndërtuar në bazë të kësaj legjende, sipas të cilës Papa Xhoanë, një grua angleze e shekullit të nëntë, hoqi dorë nga fëminiteti dhe u maskua poshtë rrobave klerikale për t’u bërë prift, një rol që edhe sot e kësaj dite u mohohet femrave në Kishën Katolike.

Po sipas legjendës, Xhoanë ishte e përkushtuar në studimet e saj fetare, aq sa la pas të gjithë kardinalët meshkuj me njohuritë rreth klerit, njohuri që e ndihmuan të ngjitej në krye të besimtarëve katolikë. Megjithatë, maskimi i saj nuk zgjati shumë, ajo u zbulua gjatë detyrës së saj dhe u rrëzua nga masat e njerëzve që kundërshtonin një femër në krye të klerit.

Teologu dhe historiani i Universitetit të Oksfordit në Angli, Diarmaid MacCulloch thotë se nuk ka asgjë të vërtetë në historinë e Papës Xhoanë. Gjithcka sipas tij është një mit, një satirë.

“Është një legjendë e nisur në mesjetë, fillimisht nga njerëzit që refuzonin papatin, më pas nga protestantët e në fund e mbajtur gjallë nga revolucionarët francezë për të diskredituar figurën e kishës”, thotë ai.

Por ka nga ata që refuzojnë faktet historike dhe besojnë të Papa Xhoanë. Pyetja e parë e ngritur prej tyre është: nëse s’ka ekzistuar Papa Joanë, atëherë pse ekziston “Vicus Papissa”, (shqip, rruga e Zonjës Papë), ku gjithnjë sipas legjendës, u rrëzua Papa Joanë? Megjithatë, historianët thonë se rruga nuk është emëruar për Papën Xhoanë, por për familjen e Papës që jetoi atje në ato vite.

Në Kishën e Shën Luçisë në Romë, afresket në mure përforcojnë rolin që ka patur femra ndër vite për forcimin e besimit, e mbushur me shenjtore femra që kanë luftuar dhe vdekur për besimin. Ka nga ato që refuzuan të qendrojnë në hije kur panë “të keqen” në radhët e kishës, sic ishte Shën Katerina e Sienës e cila në shekullin e 14-të i quajti gjithë kardinalët e asaj kohe “djaj me formë njerëzore”.

“Sigurisht, Kisha nuk është një shoqëri demokratike në kuptimin civil. Ka një hierarki dhe kudo ku ka një hierarki nuk mund të ketë barazi”, thotë kardinali portugez, Jose Saraiva Martins.

Zëri i femrave mund të jetë më i lartë sot, megjithatë për të parë një Papë femër ndoshta do të duhen shumë e shumë vite të tjera, ndoshta s’do të ndodhë kurrë. Megjithatë, “për ngushëllim” mund të thuhet se pavarësisht rolit thuajse zero në zgjedhjen e Papës, femrat kanë rolin kryesor në organizatat dhe shoqatat bamirëse të Vatikanit.

Top Channel