Papa Françesku, udhëheqësi i ri i Kishës katolike

13/03/2013 00:00

Tymi i bardhë ka dalë në orën 19:06 nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, duke sinjalizuar kështu zgjedhjen e Papës së ri, argjentinasit Jorge Mario Bergoglio, që do të thirret me titullin Papa Françesku.

Kardinali nga Amerika e Jugut, me prejardhje italiane, është zgjedhur në raundin e pestë të votimit në dhomën ku ishin mbledhur 115 kardinalët nga e gjithë bota.

Tymi i bardhë i dalë nga selia e shenjtë dhe këmbanat kanë sjellë brohoritjet dhe ovacionet e besimtarëve të mbledhur në sheshin Shën Pjetër, ku janë kënduar këngë në gjuhë të ndryshme, madje edhe nga ato të stadiumeve.

Jorge Mario Bergoglio është Papa i parë nga Amerika e Jugut në histori. Ai ka qenë arqipeshkvi i Buenos Airesit dhe kishte arritur pranë postit “të shenjtë” në konklavën e kaluar, por arriti “i dyti” pasi i pari u zgjodh Joseph Ratzinger.

Papa Françesku është shfaqur më pas në dritaren e lozhës, ku ka mbajtur një fjalim para besimtarëve të pranishëm, të cilëve u ka kërkuar të luten për bekimin e tij nga Zoti për këtë rrugëtim të ri të tij.

“Papa i ri u mor nga fundi i botës. Ju falenderoj për pritjen tuaj. Së pari dua të bëj një lutje për Benediktin XVI. Uroj për një rrugë dashurie dhe besimi mes nesh. Të lutemi për njëri-tjetrin, për të gjithë botën, që të ketë një vllazëri të madhe. Uroj që rrugëtimi që nisim sot do të shërbejë për vangjelizimin e këtij qyteti të bukur. Para se peshkopi të bekojë popullin, kërkoj lutjen e popullit për bekimin tim nga Zoti!”, ka thënë papa i ri, i cili më pas është lutur me besimtarët.

“Faleminderit për pritjen, lutuni për mua dhe do të shihemi së shpejti. Për sot, gjumë të ëmbël”, e ka mbyllur ati i ri i shenjtë në fund të fjalës së tij. 

Zgjedhjet e parakohshme në Vatikan u mbajtën pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI më herët gjatë vitit, për shkak të moshës së thyer.

Top Channel