Shefja e diplomacisë europiane Catherine Ashton pajtohet me qëndrimin e
Prishtinës zyrtare se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të
ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative dhe do të jetë në përputhje
me Kushtetuten e Kosovës.

Kështu bëjnë të ditur burime zyrtare brenda takimit të baroneshës Ashton me autoritetet kosovare që u mbajt këtë të enjtë në Prishtinë. Sipas të njëjtave burime platforma e miratuar në kuvendin e Serbisë e në të cilën insiston pala serbe nuk është diskutuar fare në takim.

Baronesha Ashton zhvilloi takime të veçanta me autorietet qendrore të Kosovës, presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaci, dhe kryetarët e disa partive politike. Në takimin e baroneshës Ashton me lideret e partive politike në Kosovë munguan kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare.

Pas këtyre takimeve, ndonëse vet zonja Ashton nuk u prononcua për media, kryeministri Thaci duke përsëritur edhe njëherë qëndrimin për krijimin e asociacionit të komunave serbe pa kompetenca ekzekutive kërkoi nga Beogradi që të ketë qasje më pragmatike.

“Ishte konkludimi i përbashkët se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë në suaza të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Unë pres që gjërat të lëvizin më shpejt drejt arritjes së një marrëveshjeje politike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona që do të jenë me nënshkrimet e shtetit të Kosovës dhe Serbisë në garancinë e plotë të BE”, u shpreh Thaçi.

Edhe kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se nuk ka arsye për shqetësim përsa i përket kompetencave të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij Ashton nuk ka propozuar zgjidhje jashtë pakos të Ahtisarit.

Një cështje tjetër për të cilën është diskutuar në këtë takim janë afatet kohore në të cilat duhet të arrihen marrëveshjen, të implementohen ato dhe të shihen rezultatet. Prioritet i Prishtinës zyrtare mbetet zhbërja e strukturave serbe të sigurisë nga Kosova. Autoritetet paralajmëruan mundësimin e lirisë së lëvizjes në veri, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Top Channel