Françesku, një Papë ndryshe

14/03/2013 22:45

Me një tufë të vogël lulesh në dorë, që më pas i vendosi në altar, Papa Françesku shkoi sot në Kishën “Santa Maria Maggiore”, për një vizitë e lutje private.

Më pas, ai mbajti meshën e parë për kardinalët, shumë prej të cilëve mbrëmë e kanë votuar në Konklavë. Ritin, ai e celebroi në latinisht, por leximet dhe psalmi u lexuan në italisht.

Mjaftuan më pak se 24 orë për të kuptuar se Papa Françesku do të jetë ndryshe. Që në xhestet, veshjen dhe sjelljet e tij, ai duket se është mbartës i një fryme të re.

Që nga mënyra se si ishte veshur, kur doli për herë të parë. Ishte krejt me të bardha, i mungonte mantela e kuqe dhe kryqi prej ari. Me sa duket, ai ka vendosur të mbajë kryqin prej hekuri, që ka vënë që kur është bërë peshkop.

Dhe sot në mëngjes që në agim, duket se, ndër angazhimet e para duhet të ishte takimi me rrobaqepësin për përgatitjen e veshjeve, por ai e ka prerë shkurt që më parë do të shkonte në bazilikën e Shën Mërisë. Dhe ka kërkuar që të mos ketë rojë, sepse është i zoti të mbrohet vetë.

Mbrëmë, pas përshëndetjes dhe bekimit, Papa i sapozgjedhur shkoi me mikrobus, bashkë me kardinalët e tjerë, në rezidencën “Santa Marta”, megjithëse për të ishte përgatitur një makinë e posaçme.

Dhe para se të largohej sot në mëngjes, ka paguar vetë shpenzimet e qëndrimit në rezidencën klerikale. Me sa dihet, edhe për të ardhur në Romë, ai përdorte avionët e linjave me kosto të ulët, edhe këtë herë që do të merrte pjesë në Konklavë. Një Konklavë, ku ai hyri si kardinal Bergoglio dhe doli Papa Françesku, si shënjti i të varfërve.

Top Channel