Vatikani hedh poshtë akuzat kundër Papës

15/03/2013 00:00

Vatikani hodhi poshtë të gjitha akuzat dhe dyshimet e ngritura ndaj Kardinalit Jorge Bergoglio për rolin e tij gjatë viteve kur Argjentina udhëhiqej nga regjimi i dhunshëm i juntës ushtarake.

Bergoglio, në atë kohë drejtues provincial i jezuitëve në Buenos Aires akuzohet se nuk foli asnjëherë për krimet e juntës ushtarake ndaj aktivistëve dhe politikanëve të të drejtave të njeriut që kundërshtonin atë.

Zëdhënësi i Vatikanit, Atë Federico Lombardi tha se nuk ka patur asnjëherë një akuzë të besueshme dhe konkrete kundër Bergoglio, i cili prej mbrëmjes së mërkurë është udhëheqësi i 1.2 milion katolikëve si Papa Françesku.

Mediat në Argjentinë dhe në vendet e tjera thonë se ashtu si të gjithë klerikët e vendeve amerikano-latine në ato vite, edhe Bergoglio duhej të llogariste mirë veprimet dhe deklaratat e tij, nga një anë me regjimet represive të djathta, dhe nga ana tjetër me aktivistët e majtë, që shpesh herë ndodheshin edhe në radhët e vetë Kishës.

Në vitin 1976, dy besimtarë dhe aktivistë jezuitë u arrestuan dhe u burgosën për 5 muaj nga regjimi ushtarak. Ata iu nënshtruan torturave çnjerëzore, deri në momentin kur u liruan. Bergoglio, në atë kohë një drejtues i lartë i jezuitëve, akuzohet se dështoi t’i mbrojë, e aq më keq nuk reagoi kurrë për arrestimin e tyre.

Këto pretendime hidhen poshtë nga biografi personal i Bergoglio-s, Sergio Rubin. Ky i fundit thotë se Bergoglio bëri përpjekje të jashtëzakonshme larg syrit dhë vëmendjes së publikut për t’i liruar ata.

Një tjetër akuzë e drejtuar ndaj Papa Françeskut, në kohën kur ky i fundit drejtonte jezuitët e Argjentinës, është ajo e neglizhencës ndaj rastit të rrëmbimit të një gruaje 5 muajshe shtatzënë, e cila pasi lindi fëmijën u gjet e vrarë. Besohet se fëmija i saj u bë viktimë e një rrjeti trafiku dhe është birësuar ilegalisht.

Kundër gjithë këtyre akuzave, Kardinali Bergoglio dëshmoi në vitin 2010, ku dekloaroi se nuk kishte dijeni për rastin e rrëmbimit të grave shtatzëna që pas lindjes së fëmijeve ekzekutoheshin. Ashtu si gjithë argjentinasit e tjerë, tha ai, edhe unë u vura në dijeni të këtyre krimeve çnjerëzore pas rënies së regjimit të juntës ushtarake.

Top Channel