Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton është shprehur
optimiste se Prishtina dhe Beogradi do të mund ta arrijnë marrëveshjen
për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se është e mundur që ata të arrijnë një marrëveshje. A janë të gatshme palët ose jo, kjo do të varet nga gjetja e mënyrës për të tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë”, ka thënë Ashton.

Sipas raportimeve të “REL”, baronesha ka shprehur gjithashtu respektin e saj për kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, të cilët janë ulur në bisedime, pavarësisht historisë së hidhur mes dy vendeve.

“Ata janë takuar gjashtë herë dhe do të takohen sërish të mërkurën”, ka thënë kryediplomatja evropiane, e cila njëherësh është ndërmjetësuese e dialogut Prishtinë-Beograd.

Këto komente Ashton i ka bërë në Forumin e Brukselit, një takim vjetor i politikanëve, ekonomistëve dhe intelektualëve më me ndikim të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Dy ditë më parë shefja e diplomacisë europiane ishte në Prishtinë, ku shprehu pajtimin e saj me qëndrimin e qeverisë kosovare, se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative dhe do të jetë në përputhje me Kushtetuten e Kosovës.

Baronesha Ashton zhvilloi takime të veçanta me autorietet qendrore të Kosovës, presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaci, si dhe me kryetarët e disa partive politike. Në këtë të fundit munguan kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare.

Top Channel