Lutja e Papa Françeskut

17/03/2013 21:00

Brohoritjet entuziaste të turmës prej mbi 300 mijë personash, të mbledhur në shesh dhe në rrugët përreth, pritën daljen në dritaret e apartamentit papnor të Papa Françeskut, i cili, për herë të parë, bëri lutjen tradicionale të Angelusit.

Gjatë këtij takimi me besimtarët, që sot kishte një vlerë të veçantë, ai tha: Pak mëshirë e ndryshon botën, e bën atë më pak të ftohtë e më pak të padrejtë.

Pa ndjekur traditën e përshëndetjes në gjuhë të ndryshme, përpara se të largohej, Shenjtëria e Tij përshëndeti thjesht me një togfjalësh “drekën e mirë”.

Më parë, ai kishte shkuar të lutej në kishën Sant’Anna. Duke i ikur kontrollit të rojeve, ai priti jashtë besimtarët, duke i përqafuar dhe përshëndetur një për një.

Në këto dalje të para publike, Ati i Shenjtë ka sjellë, kudo ku ka shkuar, buzëqeshje dhe mirësi, si mes besimtarëve, ashtu edhe dje mes mijëra gazetarëve, të mbledhur në sallën e shtypit.

Me sa duket, pas një Pape teolog, si Benedikti i 16-të, Selia e Shenjtë do të ketë në krye një Papë me aftësi të mëdha komunikimi, të bashkuar më një thjeshtësi të mençur.

Pritet që ditën e martë, në meshën inauguruese të Papatit të ri në Romë, të mbërrijnë rreth 1 milionë pelegrinë dhe dhjetra kryetarë shtetesh e qeverish.

Top Channel