Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin
Europian, Catherine Ashton do të jetë  të martën në Tiranë, ku pritet të
takohet me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha dhe
kryesocialistin Rama.

“Deri tani kemi njoftuar për 3 ndalesa gjatë kësaj vizite të Përfaqësueses së Lartë. Sot, ajo do të jetë në Podgoricë të Malit të Zi, e prej andej do të udhëtojë drejt Tiranës dhe më pas për në Shkup. Në Tiranë është parashikuar që ajo të takohet me presidentin, kryeministrin dhe udhëheqësin e opozitës. Në përgjithësi për të gjitha takimet në rajon, temat kryesore të bisedimeve do të jenë perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën Përfaqësuesja e Lartë do të rikonfirmojë angazhimin e vendosur të BEsë si dhe bashkëpunimi rajonal e mardhëniet e fqinjësisë së mirë”, thotë Maja Kocijancic,zëdhënëse e Catherinë Ashton.

Për vizitat në Kosovë e Serbi do të njoftohet në një fazë të mëvonshme, pasi ato nuk bëjnë pjesë ende në vizitën e programuar të baroneshës në rajon. Burime pranë kabinetit të saj rrëfyen se një vizitë e mundshme në Prishtinë dhe Beograd mund të realizohet të mërkurën.  

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel