Shpërthime terroriste në Boston

15/04/2013 00:00

Dy shpërthime të fuqishme të ndodhura në përfundim të maratonës së Bostonit në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar të paktën 3 të vdekur dhe mbi 140 të plagosur.

Tre persona janë konfirmuar të vdekur nga policia e Bostonit, njëri prej tyre një djalë 8-vjeçar,
ndërsa mbi 140 është numri i të plagosurve, 17 prej të cilëve në
gjendje kritike dhe 25 në gjendje të rëndë, të cilët po i drejtohen
spitaleve për të marrë ndihmën mjekësore, prej tyre 8 janë fëmijë.
Ndërkohë, New York Post informon për 12 të vdekur. Raportimet e deritanishme thonë se të paktën 10 prej të plagosurve janë me gjymtyrë të prerë.

Një bombë e tretë është gjetur pranë bibliotekës presidenciale John F. Kennedy, teksa autoritetet policore po punojnë për çaktivizimin e saj, si dhe po i trajtojnë të treja rastet si të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Burime për Daily Mail thonë se ishin 7 bomba të planifikuara për shpërthim, por vetëm dy prej tyre u realizuan. Ekipet e zbulimit policor kanë gjetur edhe bomba të pashpërthyera.

Presidenti Barack Obama theksoi se këto shpërthime përbëjnë një akt
terrorist, – pas të cilëve burime për New York Post bëjnë të ditur se
qëndron një i dyshuar i identifikuar si shtetas i Arabisë Saudite – për
të cilin përgjegjësit, qofshin individë apo grupe, do të ndiejnë gjithë
peshën e drejtësisë amerikane.

Raportohet se shpërthimet kanë ndodhur në fund të maratonës. Pamjet tregojnë shumë trupa të shtrirë në shesh të mbuluar nga gjaku, ndërsa policia ka rrethuar vendngjarjen. Ambulanca të shumta shihen të transportojnë të lënduarit drejt spitaleve.

Shpërthimet ndodhen në një hark kohor brenda pak sekondash në distancë nga njëri-tjetri. Dëshmitarë të cituar nga BBC dhe CNN thonë se shpërthimet ndodhen brenda hotelit “Firamont”, para ndërtesës së të cilit dhjetra shikues ishin grumbulluar për të ndjekur parakalimin e atletëve pjesëmarrës në maratonë.

Nuk dihet se cfarë ka shkaktuar shpërthimin apo nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist. Për të sqaruar këtë priten njoftime nga autoritetet, ndërsa godinat përreth janë evakuar nga policia pas dhënies së alarmit se një tjetër bombë mund të shpërthejë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është njoftuar për shpërthimin në fjalë, teksa ky ka urdhëruar administratën e tij të ofrojë gjithë ndihmën e mundshme ndaj të prekurve nga këto shpërthime. Ka reaguar edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili ka ndërprerë një telekonferencë mbi kontrollin e armëve, duke u shprehur “Lutjet tona janë për ata që janë plagosur nga këto dy shpërthime”. Ndërkohë, autoritetet amerikane në Boston kanë pezulluar fluturimet mbi zonën ku ndodhi ngjarja.

Top Channel