Operimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit është njëra nga cështjet e ngritura për diskutim në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Këtë e konfirmoi ministri i FSK-së, Agim Çeku, i cili shtoi se është në të mirë të gjithë qytetarëve që FSK-ja të jetë e shtrirë në gjithë territorin e Kosovës.

“Ne kemi informacione që është çështje që po diskutohet, është një nga brengat e palës serbe, ajo që është pozitive është se gjithmonë pala serbe në kërkesat e saj i referohet FSK-së si ushtria e Kosovës”, deklaroi Çeku.

E ndërsa bisedimet në raundin e nëntë mes dy kryeministrave vazhdonin në
Bruksel, ministri Çeku shprehu gatishmërinë e zbatimit
të secilit vendim që sjell kryeministri Hashim Thaçi.

“Ne kemi
besim të plotë në kryeministrin tonë, që do të bëjë zgjedhjet më të mira
në interesin e gjithë qytetarëve të Kosovës. Stacionimi i FSK-së atje
do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve, por çfarëdo që të vendosë
kryeministri, FSK-ja do të zbatojë”, nënvizoi Çeku.

SHBA: S’kemi asnjë plan për veriun

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson mohoi ekzistencen e një plani të propozuar nga SHBA-ja, sipas të cilit FSK-ja nuk do të operonte në veri edhe për pesë vitet e ardhshme.

Mediat serbe kanë shkruar se pikërisht ky është propozimi i amerikanëve si kompromis që mund  ta pranojë Prishtina zyrtare për të arritur marrëveshjen me Serbinë.

“Ky proçes është udhëhequr nga BE në bashkëpunim me dy kryeministrat. SHBA nuk kanë luajtur kurrfarë roli dhe nuk kanë paraqitur asnjë plan, por kanë vazhduar gjithmonë ta mbështesin dialogun, duke inkurajuar të gjitha palët pjesëmarrëse në të, përfshirë baroneshën Ashton”, deklaroi Jacobson.

Këto komente u bënë pas ceremonisë së dhurimit të pajisjeve për çminimin e fushave në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vlerë prej 160 milionë dollarë.

Ambasadorja ameriakne Tracy Jacobson tha se Amerika ka shpenzuar rreth 29 milionë dollarë për aktivitete të tilla në Kosovë që nga viti 1996.

Kirby: S’ka plan për veriun, mbështesim dialogun

Ndërkohë, ekzistenca e një plani në Uashington është hedhur poshtë edhe nga ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, i cili i është përgjigjur interesit të mediave serbe.

“Nuk ekziston asnjë univers paralel dhe nuk ekziston asnjë plan i veçantë amerikan në tavolinë. Njerëzit dëshirojnë të përhapin zëra se SHBA nuk përkrahin atë që bën Përfaqësuesja e Lartë”, ka thënë Kirby.

Diplomati amerikan ka kujtuar se ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe baronesha Catherine Ashton kanë përkrahur dialogun gjatë vizitave të tyre në Ballkan.

Top Channel