Situata e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas dorëheqjeve të
anëtarëve të opozitës ishte tema kryesore e takimit prej më shume se
një orë e gjysmë, mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe të
gjithë diplomatëve të Bashkimit Europian dhe zëvendësambasadorit
amerikanë të akredituar në Shqipëri.

Pak para mesdites se te enjtes, ndersa ne Parlamenti kishte nisur debatin për krizën politike, ambasadorët hynë në selinë e Partisë Socialiste për të mësuar pikëpamjet e opozitës për daljen nga kriza e krijuar.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se biseda mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik në Shqipëri, është përqendruar në situatën e fundit pas zëvendësimit të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e Qeverisë, falë edhe tre votave të ish-deputetëve të Partisë Socialiste. Rama ka shprehur shqetësimet e opozitës mbi mungesën e legjitimitetit që është krijuar në KQZ.

Burimet diplomatike i thanë Top Channel, se kryetari i Partisë Socialiste ka përcjellë qëndrimin e opozitës, e cila nuk duket e gatshme të vazhdojë me procesin e zëvendësimit të anëtarëve, përsa kohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të ketë legjitimitet. Pas takimit ambasadorët nuk dhanë detaje se cfarë arritur në takimin me Ramën, por treguan se në bisedë është folur vetëm për KQZ-në dhe situatën politike.

Ndersa ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, nenvizoi se shpresonte te gjehej nje zgjidhje per situaten e krijuar.

Rama: Të kthehet ligjshmëria në KQZ

Pas takimit me diplomatët e BE, kreu i Partise Socialiste Edi Rama u takua edhe me dy raporterët e asamblesë parlamentare të Keshillit te Evropes.

Kryetari Rama deklaroi për mediat se opozita
kërkon kthimin e ligjshmërisë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për
t’i dhënë procesit zgjedhor të 23 qershorit dinjitetin që meriton
populli shqiptar.

“Eshtë hedhur në erë institucioni i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve. Përsa na takon ne, në kuptimin e betejës elektorale, Berisha po të dojë le ta marrë KQZ-në në shtëpi dhe kjo nuk përbën asnjë problem për ne. Ky është një problem për shoqërinë shqiptare sot dhe për popullin shqiptar pas 23 qershorit, ku pavarësisht se ne do të fitojmë, në sytë e partnerëve tanë, vendi do të jetë i njollosur me turpin që po i le në fytyrë Kryeministri dhe shumica, që nuk është shumicë”, tha Rama.

Kryesocialist u shpreh se me kërkesën për kthim në ligjshmëri të KQZ-së, opozita kërkon që administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga vala e panikut që e ka përfshirë Kryeministrin, pushtetin e tij familjar dhe partinë familjare të Kryeministrit.

“Zgjidhja është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, dokumentin e rregullave të lojës, shkruar dhe miratuar me konsensus, i cili praktikisht është shkelur me të katër këmbët. Kodi e ka përcaktuar shumë qartë se KQZ nuk është as instrument dhe as organ që varet nga Kuvendi”, tha Rama.

Kryetari i PS-së kërkoi që me zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare, Shqipëria duhet të ikë nga harta e regjimeve hibride dhe nga radha e vedneve që nuk kanë lidhje me botën demokratike.

Top Channel