Marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të krijonte një klimë pozitive për shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në marrjen e vendimeve brenda Aleancës në raport me FSK-në.

Kështu ka thënë ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në kohën kur po raportohet se pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi do të jetë edhe një përkushtim i palëve që të mos pengojnë integrimin në organizata ndërkombëtare.

“Marrëveshja mendoj që do të krijojë një klimë pozitive për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Katër vendet që nuk e kanë njohur në kuadër të NATO-s, apo pesë në kuadër të Bashkimit Evropian, besoj që do të lehtësojë proçedurën e marrjes së këtyre vendimeve në NATO”, deklaroi Çeku.

NATO pritet të deklarohet rreth rekomandimeve të komandantit të KFOR-it se FSK-ja ka arritur kapacitetet e veta operacionale dhe ka përmbushur misionin e paraparë me Pakon e Ahtisaarit, dhe sipas Çekut vendimi pozitiv do të hapte një faqe të re për FSK-në.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili shpesh herë e quante FSK-në si armatë, tha se mbështet transformimin e kësaj njësie.

“Përgëzojmë faktin që ministria ka filluar të përmbyllë fazën e transformimit të FSK-së në forcë të nevojes të sigurimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Forcë, e cila do të sigurojë që në suaza të Kushtetutës të Republikës së Kosovës do të jetë për nevoja të brendshme të Kosovës, gjë që tanimë, me komunikimin që kemi, e kanë siguruar për të gjithë ne përreth”, tha Xhaferi.

Në anën tjetër, të dy ministrat u pajtuan të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, në fushat përkatëse dhe njëra nga mundësitë është që FSK të ndihmojë armatën maqedonase në njohurit të alpinistikës, ndërsa kjo e fundit të ndihmojë FSK-në në trajnimin e pilotëve në Republikën e Maqedonisë.

Gjatë së premtes, Xhaferi është takuar edhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si dhe ka bërë homazhe tek varrezat e Jasharajve në Prekaz.

Top Channel