Pakistan, arrestohet ish-presidenti

19/04/2013 00:00

Policia pakistaneze vuri nën pranga ish-presidentin Pervez Musharaf pas urdhërit të një gjykate vendase e cila e urdhëroi atë të qendrojë dy ditë në arrest shtëpie.

Televizionet vendase transmetuan pamjet kur qindra forca policore dhe ushtria shoqëronin për në gjykatë ish-presidentin në Islamabad.

Një ditë më parë gjykata nxorri një urdhër-arrest për të, por që nuk u zbatua dot, edhe pse Musharaf ndodhej në seancën gjyqësore. Policia nuk ndërhyri ndërsa ish-presidenti gjeneral u largua i qetë nga salla.

Urdhër-arresti për Musharaf u nxorr për akuza që lidheshin me ngjarjet e marsit të vitit 2007, kur ai ishte presidenti i vendit. Në atë kohë, Musharaf u përpoq të linte në arrest shtëpia shumë gjykatës vendas duke shpallur gjendjen e emergjencës për të nxjerrë jashtë loje gjykatat.

Policia bëri me dije se Musharaf u arrestua në shtëpinë e tij periferi të Islamabadit. Ai u rikthye në atdhe pas ekzilit në Londër me shpresën e udhëheqjes së partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Por akuzat më të rënda që rëndojnë ndaj tij janë të tjerë, si tradhëtia, ndërsa talebanët në Pakistan janë betuar për ta eliminuar atë.

Top Channel