Greqia, megjithëse është një vend anëtar i BE që ende nuk ka njohur pavarësinë e shtetit kosovar, ka reaguar pozitivisht ndaj arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Athina zyrtare e ka karakterizuar paktin si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit
të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në të gjithë Europën.

Me një deklaratë për shtyp, ministri i Jashtëm grek Dhimitris Avramopoulos ka përshëndetur marrëveshjen në dialogun Beograd-Prishtinë. Ai ka theksuar se:

“Ky zhvillim, pas negociatave të gjata dhe të vështira, konfirmon vullnetin politik dhe vendosmërinë e të dy palëve  për të zgjidhur çështje të rëndësishme që ishin ende të pazgjidhura, në të mirën e të dy popujve, të cilët tani mund të shohin përfshirjen e tyre në familjen europiane me optimizëm më të madh”.

Kjo marrëveshje, ka thënë shefi i diplomacisë greke, konfirmon në të njëjtën kohë angazhimin e udhëheqësve të këtyre vendeve ndaj perspektivës europiane, të cilën e mbështet në mënyrë të qëndrueshme edhe Greqia.

Sipas Avramopoulos, “pozicioni parimor i Athines është se çështjet e hapura në Evropën Juglindore mund dhe duhet të perballohen vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut, respektimit të së Drejtes Ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihen zgjidhje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme”.

“Marrëveshja e djeshme hap perspektiva dhe mundësi të reja, duke treguar rrugën për një të ardhme të përbashkët europiane dhe për këtë arsye ka mbështetjen e plotë të Greqisë”, ka thënë më tej Avramopulos.

Top Channel