Dy liderët e partive më të mëdha opozitare në Kosovë kanë dalë me qëndrime të ndryshme pas marrëveshjes së arritur në zyrën e baroneshës Ashton, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka dhënë mbështetje marrëveshjes 15-pikëshe, ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka kundërshtuar atë.

Vetëm një ditë pas arritjes së marrëveshjes, kryetari i LDK-së ka thënë se do të punojnë me qeverinë e Kosovës në mënyrë që të ushtrohet pushteti në të gjithë territorin e Kosovës.

“Natyrisht që nuk mund të pritet që dialogu t’i plotësojë gjitha pritjet dhe kërkesat të cilat ne kemi pasur, por ne shpresojmë që BE-ja dhe ShBA-të do të kontribuojnë që Serbia të implementojë atë që e ka marrë si obligim dhe që dialogu të mos implementohet në mënyrë dykuptimore edhe nga organet e Kosovës dhe të Serbisë dhe të mundësohet që përmes kësaj marrëveshjeje të ushtrohet pushteti në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa, duke mos u futur në detaje, ka thënë se ka vërejtje specifike për marrëveshjen, por partia e tij do të angazhohet që zotimet që i kanë marrë përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel të përmbushen dhe ka vlerësuar se marrëveshja i hap rrugë integrimit të Kosovës në BE.

Por në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes ka vlerësuar të shtunën se të gjitha pikat e marrëveshjes janë të dëmshme për Kosovën, kurse të gjithë marrëveshjen e ka vlerësuar si sabotim të shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa Kosovën një Bosnje të dytë.

Po ashtu, sipas Kurtit, me këtë marrëveshje nuk po shpërbëhen strukturat serbe të sigurisë por ato po integrohen në institucionet e Kosovës.

Përfaqësues të Vetëvendosjes, e cila ka 12 deputetë në Kuvend, bënë të ditur se kanë filluar të mbledhin nënshkrimet e deputetëve për të formuar një komision hetimor parlamentar për dialogun, për çfarë i duhen 40 firma të deputetëve.

Përveç kësaj, Vetëvendosje ka paralajmëruar se edhe jashtë Kuvendit do të kundërshtojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Top Channel