Flet nëna e dy të dyshuarve

21/04/2013 20:55

E ëma e dy vëllezërve të dyshuar për shpërthimet e Bostonit pretendon se djemtë e saj janë të pafajshëm dhe se FBI-ja i ka ngritur një kurth.

Zubeidat Tsarnaev tha në një intervistë dhënë më herët televizionit shtetëror rus RT se djali i madh, Tamerlani, kishte qenë vitet e fundit nën mbikqyrjen e rreptë të Byrosë Federale të Hetimit.

26-vjeçari mbeti i vrarë në shkëmbim-zjarrin me policinë të premten, ndërsa vëllai i vogël, Dzhokar, u arrestua mbrëmjen e së shtunës në periferi të Bostonit.

“Im bir nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Kishte katër apo 5 vjet që kontrollohej në çdo hap nga FBI-ja; ata njihnin me saktësinë më të madhe çdo lëvizje të tij, i kontrollonin çdo veprim dhe tani thonë se ishte akt terrorist. Si mundi të ndodhte një gjë e tillë? Jam 100% e bindur se ishte kurth. Të dy djemtë e mi janë të pafajshëm. Asnjëri prej tyre nuk ka folur kurrë për gjërat që po dëgjojmë sot”, tha nëna e dy atentatorëve.

Ndërsa mijëra banorë të Bostonit dolën në rrugë për të festuar kapjen e 19-vjeçarit Dzhokar, presidenti Obama tha se ka shumë pyetje pa përgjigje që rrethojnë aktin e dhunës ekstreme.

Dy të rinjtë me origjinë çeçene nuk kishin asgjë të përbashkët me stereotipin e terroristit. Më i vogli përshkruhet si djalë shumë i zgjuar, shkonte mirë me mësime e mund të thuhet se kishte një të ardhme të shkëlqyer në vendlindjen adoptive, Amerikë.

Edhe pse rrënjët e tyre janë nga Çeçenia, një pjesë të fëmijërisë dy vëllezërit e kaluan në Dagestanin fqinj; që të dy këto vende janë pjesë e Kaukazit të munduar nga lufta për Pavarësi nga Rusia.

Djemtë ishin larguar nga Dagestani bashkë me prindërit në prag të shpërthimit të luftës civile për një jetë të re e më të mirë në perëndim. Atëherë, përse? Në Dagestan, thonë mediat, është e zakontë që xhihadistët t’i detyrojnë djemtë e rinj të kryejnë akte dhune, duke i kërcënuar se do t’i lëndojnë të afërmit.

Por ndoshta përgjigja mund të gjendet thellë në kodin e nderit dhe besnikërinë që i lidh familjet çeçene dhe klanet, aq fort sa ç’ndodh me mafian në Siçili. Për shumë rusë, fjala “çeçen” është sinonim me “terrorist”.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, një ëndërr e re shkëputjeje nga Rusia u bë shkak për dy luftra brutale në Çeçeni. Përpjekjet për mëvetësi u shndërruan në një kauzë globale të militantëve islamikë, ndërsa në rajon do të hynte rryma salafite, dhe të tillë ekstremistë, sipas ekspertëve, mund ta shihnin shpërthimin e një bombe në Amerikë si mënyrën e fundit për të evidentuar akoma më shume objektivin e tyre.

Top Channel