BE heq sanksionet ndaj Birmanisë

22/04/2013 00:00

Bashkimi Europian hoqi të gjitha sanksionet ekonomike dhe tregtare të vendosura deri më tani ndaj Birmanisë, shenjë miratuese kjo për reformat që po bën vendi i Azisë Juglindore për demokratizimin e jetës politike në vend.

Sanksionet u hoqën përkohësisht vitin e kaluar dhe kushti për heqjen e përhershmë të tyre ishte vazhdimi i reformave. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian ranë dakort unanimisht për heqjen e përherëshme të sanksioneve ekonomike dhe tregtare, por lanë në fuqi embargon e armëve.

Në deklaratën shoqëruese të vendimit, Bashkimi Europian i kërkon Birmanisë të përballet me sfidat, sidomos sa i përket respektimit të të drejtave të pakicës fetare muslimane.

Pikërisht për shkak të dhunës ndaj këtyre të fundit, disa organizata për të drejtat e njeriut, i bënë thirrje Bashkimit Europian që të mos heqë sanksionet, por t’i kushtëzojë ato deri në momentin e ndaljes së dhunës ndaj muslimanëve.

Top Channel