Meta, fushatë në Kamëz dhe Gjirokastër

13/05/2013 00:00

Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Kamëz ka theksuar
se 23 qershori do te jete momenti kur do të marrë fund politika e
shkëputur nga realiteti.

“Me votën tuaj më 23 qershor ju, jo vetëm që do të ndëshkoni lojën politike të bërë me legalizimet nga lidershipi aktual i qeverisë për gati tetë vite, por njëkohësisht do të shpëtoni nga sorrollatjet absurde dhe nga burokracitë e panumërta. Duke votuar LSI-në ju sigurojmë se secili prej jush do të marrë certifikatën e pronësisë që meriton në mënyrë që të respektohet ligji dhe sakricifica, që ju, përindërit, fëmijët tuaj kanë bërë për këto investime gjatë këtyre dy dekadave”, tha Meta.

Ashtu si ne takimet e tjera, zoti Meta eshte ndalur tek domosdoshmeria per hapjen e vendeve te reja te punes si e vetmja menyre per te ofruar stabilitet dhe zhvillim.

“LSI-ja është garancia më e mirë për të gjithë ata që duan që në 24 qershor, të gjithë të ndihen të bashkuar rreth një projekti që e bashkon Shqipërinë me Europën”, tha Meta.

Lideri i LSI-se prezantoi ne Kamez, kandidatin e kesaj force politike per kete zone Ylli Manjani. Vete Manjani tha se LSI do te nenshkruaje nje marrëveshje me shqiptaret qe do te evropianizoje vertetë, siç tha ai, Shqiperine pertej fjaleve te deri sotme.

Meta prezanton kandidatët në Gjirokastër
Sfida e së majtës është që të fitojë 4-1 në këtë qark më 23 qershor

Në një tubim elektoral në Gjirokastër, Ilir Meta prezantoi kandidatët për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qark, listë që kryesohet nga Vangjel Tavo.

Në fjalën e tij, Meta sulmoi qeverinë Berisha, duke thënë se gjatë tetë viteve të fundit ritmi i progresit ka qenë shumë i ulët.

“Ndërkohë që, investimet publike janë reduktuar ndjeshëm. Madje edhe ato që bëhen, kanë synime elektorale. Dhe, po ta vini re, tani më të gjatë janë shiritat që priten, se sa rrugët që asfaltohen”, u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Për kryetarin e LSI-së, kryeministri Berisha duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për mungesën e investimeve gjatë këtyre viteve.

“Kryeministri aktual, i cili përgatitet të bëjë dorëzimet më 23 qershor, i cili ka bërë mijëra e miliona rrugë të asfaltuara anembanë globit, e ftojmë që të vijë jo me helikopter, por me makinë nga Memaliaj në Tepelenë. Të vijë këtu dhe t’i kërkojë falje Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt dhe të gjithë këtyre trevave. Sepse Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena nuk mund të ecin me ritmin e tij, por do të ecin më shpejt me ritmin e LSI-së”, tha Meta.

Top Channel