Berisha prezanton listën e Tiranës

13/05/2013 20:50

Partia Demokratike hapi fushatën për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit me një miting-koncert në sheshin “Nënë Tereza”, ku u prezantuan kandidatën për deputet të qarkut të Tiranës.

Ra në sy mungesa e Ilir Rusmalit, i vendosur i 17-ti në listë dhe praktikisht jo fitues, që, me sa duket edhe për shkak të mungesës, nuk iu lexua emri gjatë prezantimit një për një të 32 kandidatëve.

Mitingu ofroi edhe prezantimin e parë me mbështetësit e PD për Kastriot Islamin dhe Asllan Dogjanin, që ndryshe nga Rusmali ndodhen në listën fituese të demokratëve.

Një tjetër detaj, që ra në sy, ishte hapja e tubimit nga kryetari i Bashkisë, Basha, i zgjedhur kryetar i shtabit për Tiranën.

“Ky njeri nuk është dhe nuk mund të jetë miku i Tiranës, ai nuk është miku i shqiptarëve dhe i Shqipërisë”, tha Basha.

Kryeministri Berisha e mori fjalën i fundit, pas Jorida Tabakut dhe Halim Kosovës, të dy prurje të reja në listën e Tiranës, dhe pas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.

Berisha nënvizoi, para të pranishmëve, detaje të sloganit të përdorur në zgjedhjet e majit 2011, për Bashkinë e Tiranës, atë të PD-së si parti për qytetarin.

“Te kutitë e votimit përballen dy filozofi, dy qëndrime. Përballet qëndrimi ynë, i cili ka në thelb e synon lirinë tuaj, besim të pakufijshëm tek iniciativa juaj e lirë, te pasuria e saj. Ne besojmë se gjithçka ka arritur Shqipëria këto 20 vite, ju ka patur juve, qytetarë shqiptarë, arkitektë të vërtetë”, tha Berisha.

Duke sulmuar alternativën e majtë, Berisha tha se këto zgjedhje do të bëjnë shkëptutjen nga bllokimi.

“Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, që bëri gjithçka për ta vendosur vendin jashtë hapësirës perëndimore. Ajo alternativë, në 20 vite, për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar përveç se Stabilizim Asociimin, edhe bllokimin e anëtarësimit në NATO, apo për t’iu lënë juve pa viza”, shtoi Berisha.

Top Channel