Duke  iu kundërpërgjigjur kryeministrit Sali Berisha me të njëjtën akuzë të parapëlqyer prej tij për kreun e opozitës, kryetari i LSI-së, Ilir Meta në një intervistë për Top Channel thotë se bllokuesi i vërtetë i integrimit është kreu i mazhorancës.

Meta bën të qartë atë që quan kompromis i sugjeruar për tre ligjet e integrimit, ku ngritja e Gjykatës Administrative është në themel të tij. Ato nxiten nga emërime të spikatura politike të mazhorancës aktuale në gjyqësor, thotë ai, dhe për të frenuar emërime të reja të njëanëshme, Meta propozon në zgjedhjen me marrëveshje të Gjykatës Administrative, mes presidentit aktual dhe shumicës në parlamentin e ri.

“Anëtarët e rinj që do të shtohen në Gjykatën e Lartë do të jenë një produkt i bashkëpunimit mes Presidentit dhe parlamentit të ri. Por me sa duket zoti Berisha, pavarësisht se flet për fitoren, duke ndjerë humbjen, kërkon të mos i kontribuojë procesit të integrimit europian sepse në rast se do të ishte i sigurt për fitore, atëherë do të ishte i gatshëm që këto 3 ligje të votoheshin tani dhe natyrisht do të hynin në fuqi në parlamentin e ri, ku përsëri sipas fjalimeve të tij ai do të përfaqësonte mazhorancën”, tha Meta.

Kreu i LSI i ngarkon kryeministrit Berisha edhe një tjetër përgjegjësi, ngërçin në KQZ. Ai pohon se situata është anormale në këtë institucion dhe se në rast dështimi të zgjedhjeve ka vetëm një emër përgjegjës.

“Nuk është kjo një përgjegjësi e opozitës, ka dalë nga mundësitë e opozitës për zgjidhje. Për të marrë përgjegjësi duhet të ketë një reflektim nga mazhoranca në mënyrë që të rivendoset integriteti i KQZ-së dhe ai të jetë plotësisht funksional”, shtoi kreu i LSI-së.

Pavarësisht se nuk janë shfaqur në një fushatë të përbashkët me PS që prej nënshkrimit të marrëveshjes, Ilir Meta beson te rezultati final për opozitën e bashkuar. LSI brenda Aleancës për Shqipërinë Europiane do të ketë sipas tij, një rezultat dyshifror, ndërsa për diferencën e koalicionit të majtë me atë të djathtë, Ilir Meta sfidon:

“Opozita i ka të gjitha mundësitë që të arrijë dhe të kalojë 80 mandatet në Kuvendin e ri. Jam i bindur që do të jetë një diferencë plebishitare me të paktën 200 mijë vota. Për këtë jam i bindur dhe jam i sigurt dhe ju mund ta ruani këtë si insert për të ardhmen”, tha Meta.

Në favor të opozitës, kryetari i LSI-së guxon të llogarisë edhe votat për të larguarit të së majtës drejt PD, por jo vetëm kaq.

“Këto janë vendime individuale dhe unë nuk kam asnjë arsye pse t’i gjykoj. Por mund të them se janë gati 100 mijë vota demokratësh që do të shkojnë për 10 mandate të pasigurta pas 23 qershorit. Natyrisht kjo është një cështje e PD, nuk është një cështje e jona”, shtoi Meta.

Ndërsa një pjesë e opinionit publik i druhet atyre që janë etiketuar shpesh si manovrat e kryeministrit Berisha për të devijuar rezultatin e zgjedhjeve, Ilir Meta, që deri pak kohë më parë ka qenë në qeveri me të,  nuk i trembet pasi thotë edhe me tone humori se arrin të lexojë shenjat e humbjes së tij.

“Unë personalisht, pavarësisht nga angazhimi i tij tepër luftarak, duket sikur është i vetmi që lufton për fitoren e Partisë Demokratike në këtë fushatë, unë e shoh të gatshëm për të bërë dorëzimin e detyrës në mënyrë civile, demokratike dhe shembullore”, u shpreh kreu i LSI-së.

Meta: Ekonomia, Berisha mashtron me shifrat

Lëvizja Socialiste për Integrim çeli fushatën e saj elektorale në Qarkun e Durrësit, ku në fjalën e tij para mbështetësve, kreu i kësaj partie, Ilir Meta u shpreh i bindur në fitoren e opozitës më 23 qershor për të rigjallëruar ekonominë dhe hapur vende të reja pune.

Meta akuzoi kryeministrin Berisha se pavarësisht retorikës nëpër mitingje, po bllokon statusin e vendit kandidat duke mos votuar 3 ligjet e kërkuara për integrimin. Klima konfliktuale, tha Meta, ka mbajtur peng zgjidhjen e shumë problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve. Meta akuzoi kryeministrin për mashtrim me të dhënat e ekonomisë, që sipas tij, është në krizë të thellë.

“Situata jo bashkëpunuese dhe konfliktuale ka mbajtur peng zgjidhjen e shumë problemeve dhe shqetësimeve tuaja të përditëshme sepse për kryeministrin tonë, vetëm nëpër mitingje qytetarët janë të parët, por në fakt të parët për të janë fishekzjarret. Sot ekonomia jonë po vuan dhe askush s’mund të gënjehet nga statistikat që përpunohen në zyrat e kryeministrit”, tha Meta.

Kreu i LSI-së shtoi se qeveria nuk ka shlyer firmat private për punët publike që këto të fundit kanë kryer.

“Qeveria nuk ka paguar firmat private për punët publike që kanë kryer. Sot qeveria është kudo në festë, ndërsa qytetarët janë gjithnjë në halle, ndaj më 23 qershor Durrësi dhe Shqipëria do t’i thonë mjaft retorikës së panevojshme. Më 23 qershor do zgjedhin rotacionin, do votojnë rritjen ekonomike dhe jo papunësinë, sepse ne do sjellim shtetin ligjor për të gjithë dhe jo të gjitha pushtetet në dorën e një personi të vetëm”, shtoi Meta.

Lista e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Durrësit kryesohet nga Lefter Koka që pasohet nga Edmond Panariti dhe Edmond Derveni.

Top Channel