Eurovision, triumfon Danimarka

19/05/2013 09:50

Danimarka triumfoi në edicionin e sivjetshëm të Eurovisionit, festivalit të këngës europiane, të zhvilluar në qytetin suedez të Malmos.

Emmelie de Forest, me këngën e saj “Vetëm Lot” (“Only Teardrops”), u shndërrua gjatë mbrëmjes në një favorite të qartë, duke lënë pas në votime me 47 pikë Azarbajxhanin dhe Ukrainën, në vendin e tretë.

”Ishte shumë stresuese, por gjithashtu e mrekullueshme kjo që më ndodhi. Nuk mundem ta besoj”, deklaroi fituesja daneze në konferencën për shtyp në përfundim të shfaqjes.

”Pa dyshim që kisha besim tek kjo këngë, por gjëja më emocionuese tek një Eurovision është që nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të ndodhë. Kështu që fitorja më emocionoi dhe shokoi njëkohësisht”, shtoi ajo.

Për Danimarkën, që do të presë vitin e ardhshëm edicionin e 59 të “Eurovision”-it, kjo është hera e tretë që fiton festivalin, pas viteve 1963 dhe 2000.

Shqipëria, e përfaqësuar nga dyshja Lulgjuraj-Sejko, nuk arriti të kualifikohej për në mbrëmjen finale, ku u paraqitën një total prej 26 shtetesh.

Top Channel