Berisha në Laç: Valë investimesh

10/06/2013 00:00

Laçi ka qenë stacioni i radhës elektoral i kryeministrit Berisha mbrëmjen e së hënës, ku fillimisht ka bërë para simpatizantëve një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij.

“Ne futëm vendin në NATO dhe sollëm lëvizjen pa viza. Ndërsa statusin e kandidatit na e bllokoi shoku i autobusit”, ka deklaruar Berisha.

Kryetari i mazhorancës ka theksuar se PD ka programin më të shkëlqyer për katër vitet e ardhshme, që sipas tij do të jenë vitet e investimeve madhore në infrastrukturë.

“Ne investuam 1 miliard dollarë për kaskadën e Devollit dhe kontribuam në ndërtimin e gazsjellësit TAP. Ne po përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike. Vitet e ardhshme do të jenë vitet e përfundimit dhe ndërtimit të rrugëve të reja, ujësjellësave dhe kanalizimeve”, ka nënvizuar Berisha, i cili ka ironizuar alternativën e majtë.

“Cila është alternativa tjetër, alternativa që përpiqet të mbjellë dështim dhe zi në çdo skaj të këtij vendi. Për shoferin e autobusit mavi, në këto vite në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mirë, por vetëm rrënim. Sepse ky shok nga autobusi me xhama të zinj nuk shef asgjë”, ka shtuar Berisha.

Berisha përuron rrugë e HEC-e

Nga Tirana, Mirdita dhe Velipoja kryeministri Berisha mori
pjesë më herët gjatë ditës në inaugurime veprash publike dhe private, që ai i përkufizoi
si jetike për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe punësimin e tyre.

Në Tiranë, ku ka përfunduar rikonstruksioni i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, nga Shkolla e Baletit tek Tregu Elektrik, kryeministri Berisha vuri në dukje ndryshimin pas largimit të Edi Ramës nga Bashkia e Tiranës.

“E vërteta është se inventari i rrugëve të paasfaltuara, shesheve, rrugicave është mbi 250 kilometra, por e vërteta është që sado të kushtojnë, ne do t’i asfaltojmë ato brenda dy viteve që vijnë”, tha Berisha.

Kryeministri ftoi qytetarët të angazhohen në një fushatë të qytetëruar dhe simbolin e dy gishtave lart ta kthejnë në votë për Partinë Demokratike, njësoj si në vitin ’92.

Nisin punimet për hidrocentralet në Fan

Me shtypjen e një butoni, kryeministri bëri shpërthimin në vendin ku nisin punimet për ndërtimin e tre hidrocentraleve mbi lumin Fan në Mirditë dhe në Pukë, ku një kompani turke po investon 146 milionë dollarë dhe do të punësojë 950 persona. Por e rëndësishme për kryeministrin, përveç punësimit, është se këto 3 hidrocentrale të reja bëhen pjesë e projektit për Shqipërinë e zhvilluar, vend eksportues i energjisë elektrike. 

“Dhe kjo është rruga më e drejtë dhe më e mençur drejt zhvillimit. Ne jemi seriozë në projektin tonë dhe ne po e faktojmë çdo ditë me vepra se ku do t’i punësojmë shqiptarët”, tha Berisha.
 
Sipas kryeministrit Berisha, në hidrocentralet e dhëna me konçension do të punësohen në 4 vitet e ardhshme 30 mijë persona dhe këtë zhvillim, siç tha ai, nuk mund ta ndërpresë alternativa kërcënuese e Partisë Socialiste me ngritjen e zyrës për rishikimin e konçensioneve.

“E thash këtë për ata që bëjnë betejat e Don Kishotit me konçesionet, për ata që kërcënojnë me anullime konçesionesh. Ata përpiqen të pengojnë zhvillimin. Ata përpiqen të bllokojnë punësimin”, theksoi Berisha.

Nga Fani i Mirditës kryeministri shkoi në Velipojë, ku tha se pret nga banorët e qarkut të Shkodrës mandatin e tetë për Partinë Demokratike. Duke premtuar lidhjen e të gjitha plazheve të Adriatikut me rrugë të reja, që zhvillojnë turizmin, Berisha ftoi qytetarët të refuzojnë me votë kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, për të cilin tha se është bërë qesharak me mohimin e gjithçkaje që është arritur.

“Ne nuk flasim me fjalë boshe. Ne flasim me vepra. Ndaj dhe ju ftoj të përçmoni çdo mohim që i bëhet djersës suaj, çdo fyerje kolektive. Përpara drejt fitores”, tha Berisha.

Top Channel