Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e së martës një takim me sipërmarrësit në lagjen Kombinat të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij Berisha ka deklaruar se në katër vitet e fundit Shqipëria ka thithur nga 1 miliard dollarë investime në vit, një proçes ky që sipas tij do të vijojë në 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Në vitet e fundit Shqipëria ka marrë 1 miliard dollarë në çdo vit. Ne jemi të gatshëm të marrim çdo hap në mënyrë që në 4 vitet që vijnë të arrijmë 6 miliardë dollarë investime”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kjo është një shifër realiste pasi për Shqipërinë janë parashikuar investime gjigande. Shefi i qeverisë ka saktësuar se vetëm kaskada e Devollit ka një kosto prej 1 miliard dollarë, ndërsa ka shtuar se gazsjellësi TAP ofron punësim dhe mundësi për përdorimin e gazit në shkallë të gjerë.

“Po ndërtohen edhe parqe industriale. Ne kemi punësimin e shqiptarëve qëllimin më madhor dhe mirëqënien prioritetin e dytë. Kjo është një histori suksesi”, ka thënë Berisha, i cili ka kundërshtuar taksën progresiste që planifikon të aplikojë PS.

“Taksa progresive do të thotë shumë para më pak. Do të thotë pamundësi rritje pagash dhe më pak vende pune”, ka shtuar kryeministri.

Berisha: Rama, faliment prodhimit vendas

Paradite, në një takim me banoret e Ishmit, në Durrës, kryeministri Berisha akuzoi
politikat e Edi Rames per heqjen e taksave per produktet e shportës, që
sipas tij do te çonte në falimentimin e prodhimit vendas.

“Ky premtim ka vetëm një qëllim të krijohen monopolet e ushqimeve. Ushqimet janë produkte që pasurojnë tregtarët më shumë se çdo gjë tjetër, pra të krijohet ‘grupi i miliarderëve’ me ushqimet, dhe natyrisht i gjithë investimi juaj në lope racë, i gjithë investimi në fabrika bloje, i gjithë investimi në ullinj kthehet me kokëposhtë. Çfarë ndodh? Ne shndërrohemi në një republikë shërbimesh, shndërrohemi në një republikë ku njerëzit varen nga këta furnitorë dhe jo nga muskujt e tyre, jo nga toka e tyre, jo nga biznesi i tyre dhe absolutisht kjo rrugë është e kundërt me zhvillimin”, tha Berisha.

Gjatë ketij bashkebisedimi Berisha pranoi nje tendence ne rritje te kriminalitetit, por nga krahu tjeter ka vleresuar shkallen e larte te zbulimit sipas tij te ketyre krimeve nga Policia e Shtetit.

“Garantoj që një reformë tjetër e thellë e Policisë do të bëhet, mund të ketë shtim të numrit të tyre, nuk e përjashtoj ta them, sepse e shoh vëllimin e punës. Do të bëjmë gjithcka për konsolidimin e një rendi publik, siç e meritojnë qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.

Rindertimi i Autoritetit Civil

Me heret, ne inagurimin e rikonstruksionit te godines se Autoritetit te Aviacionit Civil investim me vlere 55 milione leke, Kryeministri Berisha e vuri theksin tek platforma me te cilen paraqitet Partia Demokratike ne kete fushate zgjedhore, nje platforme qe sipas tij eshte ajo e premtimeve te mbajtura. Nderkohe mes te tjerash Kryeministri zgjodhi te ironizonte edhe rivalin e tij politik Edi Rama.

“Pasi ka humbur çdo betejë me mua, pasi ka humbur çdo betejë që është sot, tani ka nisur betejën e moshës. Më duhet të përdor një fjalë të Ronald Regan, ‘nuk jam përgjegjës unë për papjekurinë e tij”, tha Berisha.

Top Channel