Paralajmërimi i Erdogan: Tolerancë zero!

11/06/2013 21:30

Në Sheshin Taksim, në Stamboll, mbretëron kaosi, pasi policët përdorën gazin lotsjellës dhe tymueset për të shpërndarë protestuesit.

Fillimisht ata u larguan por, më vonë, mijëra u rikthyen në shesh, ku është ndezur një zjarr i madh. Siç raporton CNN, sulmi i forcave të rendit dëshmoi kthimin e taktikave të ashpra të autoriteteve turke, njësoj si në ditët e para të protestave.

Mëngjesin e së martës, policia – përmes megafonëve – u kërkoi protestuesve, që qëndronin në sheshin Taksim, të largoheshin, por mosbindjes së tyre iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe pompa uji.

Buldozerë u dërguan për të pastruar barrikadat dhe tendat e ngritura prej protestuesve. Policët zëvendësuan parrulat e shkruara, me flamurin turk dhe foton e Kemal Ataturkut, simbol i përdorur edhe prej protestuesve.

Ata qëlluan policët me bomba artizanale dhe gurë, megjithëse disa akuzuan forcat e rendit për infiltrimin e oficerëve sekretë në radhët e tyre.

Të mërkurën është planifikuar takimi i tijme protestuesit, por të martën pasdite, kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëroi se nuk do të tregojë më të voglën tolerancë.

“U kërkoj të rinjve, të cilët besoj se kanë ndjenja të sinqerta, t’i japin fund protestave dhe u bëj thirrje atyre, që këmbëngulin për t’i vazhduar. Ka marrë fund. Nuk duhet të vazhdojmë me këtë më gjatë”, tha Erdogan.

Kryeministri Erdogan shprehu mbështetje për ndërhyrjen e policisë, të martën, duke thënë se “protesta është marrë peng nga njerëz, që kanë si qëllim të dëmtojnë Turqinë”.

Me fjalët e tij, duket se ai kundërshtoi Guvernatorin e Stambollit, i cili tha më herët se qëllimi i policisë nuk ishte të shpërndante protestën në Parkun Gejzi.

“Përpjekja për të deformuar imazhin e Turqisë po zbatohet me një plan sistematik. Forca e Turqisë dhe reputacioni janë vënë në shënjestër gjatë këtij procesi”, shtoi Erdogan.

Gjatë një fjalimi, drejtuar deputetëve të partisë së tij “Drejtësi dhe Zhvillim”, që u transmetua nga televizioni turk, i ndërprerë disa herë nga duartrokitjet, Rexhep Taip Erdogan tha: Ata thonë se kryeministri është i ashpër. Po çfare do të ndodhë? Mos duhet të ulemi në gjunjë përballë këtyre njerëzve?

Fondacioni Turk për të Drejtat e Njeriut raportoi për katër viktima, gjatë protestave, të cilat nisën fillimisht si një demonstrim kundër planit të zhvillimit të parkut Gejzi dhe më pas u zgjeruan thuajse në të gjithë vendin, duke kundërshtuar autoritarizmin e kryeministrit dhe qeverisë së tij.

Top Channel