“Modeli i Ramës është absurd”

11/06/2013 23:40

Kryeministri Berisha është ndalur në zonën e Kinostudios, në kryeqytet, ku ka premtuar investimin e 22 mln dollarëve në infrastrukturë dhe shërbime.

“Ne jemi të vendosur, që në këtë lagje, në të katër anët e saj, të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë, çdo shkollë, çdo shesh pallatesh, të asfaltojmë dhe të ndërtojmë lulishte. Të ndërtojmë shërbimet më të mira”, tha Berisha.

Këtë herë, kryeministri Berisha ka preferuar të mos vërë në shënjestër kryesocialistin Rama dhe alternativën e tij. Por, ka qenë kryebashkiaku Basha, i cili ka akuzuar liderin e opozitës, se në plan të parë ka interesin personal, ndryshe nga alternativa e djathtë, e cila ka në qendër interesin e qytetarëve.

“Cila është alternativa tjetër? Mashtrime, trillime, sharje dhe mallkime. Por, ato le t’i hedhim në një anë dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to”, tha Berisha.

“Në plan të parë të tij ka qenë dhe mbetet vetëm interesi i tij personal. Pas 3 dekadash, sot kemi kushtetutën e zhvillimit të kryeqytetit tonë. E bëmë këtë në bashkëpunim të hapur me të gjithë qytetarët, ekspertët, akademikët, shoqërinë civile, e bëmë edhe me socialistët. I thirrëm socialistët, pasi Tirana është e të gjithëve”, tha Basha.

Gjatë pasdites, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me sipërmarrës në zonën e Kombinatit, ku e quajti absurd qendrimin e Ramës, që barra fiskale kryesore të përballohet nga 5 për qind e qytetarëve.

“Nuk ka ndonjë vend mbi tokë dhe ndonjë politikan, që të imagjinojë se barra fiskale të përballohet nga 5% e qytetarëve. Zotëria ka një ide kokëposhtë. Ai mendon se zhvillimi i ekonomisë vjen nga lart-poshtë. Zhvillimi i ekonomisë dhe shoqërisë vjen nga klasa e mesme. Janë me qindra e mijëra burra dhe gra, që nuk janë biznesmenë të mëdhenj, por me pronën dhe punën e tyre që bëjnë, ata janë gjeneratorë të të ardhurave kryesore të vendit”, tha Berisha.

Top Channel