Turqi, vazhdon beteja polici-protestues

12/06/2013 08:00

Policia turke ka përdorur gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë mijëra demonstrues anti-qeveritarë të cilët u mblodhën në sheshin Taksim të Stambollit pas një dite përplasjesh sporadike.

Protestuesit u grumbulluan sërish në afërsi të parkut Gezi, ku beteja me policinë vazhdoi edhe në të gdhirë të ditës së mërkurë. Buldozerët pastruan barrikadat dhe tendat e ngritura prej protestuesve.

Sot është planifikuar takimi i tij me protestuesit, por të martën pasdite, kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëroi se nuk do të tregojë më të voglën tolerancë.

“U kërkoj të rinjve, të cilët besoj se kanë ndjenja të sinqerta, t’i japin fund protestave dhe u bëj thirrje atyre, që këmbëngulin për t’i vazhduar. Ka marrë fund. Nuk duhet të vazhdojmë me këtë më gjatë”, tha Erdogan.

Kryeministri Erdogan shprehu mbështetje për ndërhyrjen e policisë, të martën, duke thënë se “protesta është marrë peng nga njerëz, që kanë si qëllim të dëmtojnë Turqinë”.

Me fjalët e tij, duket se ai kundërshtoi Guvernatorin e Stambollit, i cili tha më herët se qëllimi i policisë nuk ishte të shpërndante protestën në Parkun Gejzi.

“Përpjekja për të deformuar imazhin e Turqisë po zbatohet me një plan sistematik. Forca e Turqisë dhe reputacioni janë vënë në shënjestër gjatë këtij procesi”, shtoi Erdogan.

Top Channel